Archive for the ‘Opinione’ Category

Çfarë fëmijësh po edukojmë?   Leave a comment

AGIM BAÇI

Nisja e çdo viti shkollor gjithnjë më sjell ndër mend një pyetje: Çfarë po bëjmë për edukimin e fëmijëve? E, fill pas kësaj pyetjeje, të tjera qëndrojnë më pas, për të marrë më shumë se sa një përgjigje nga ne të gjithë: A janë shkollat e sotme vendet e vetme ku duhet të besojmë edukimin? Cila është përgjegjësia prindërore? Po institucione të tjera, a janë ndërmjetëse, apo duhet të besojmë vetëm te mësuesi? A jemi ne të aftë t’u përgjigjemi sfidave që na krijojnë fëmijët? A mundemi të konkurrojmë botën e televizionit, që është kaq e pranishme në jetën e fëmijëve, apo llojet e informacionit që ka sot çdo fëmijë? A mund ta përballojë këtë sfidë vetëm mësuesi?

Afërmendsh që shumica e prindërve shqetësohet për të gjetur zgjidhje për këto dilema. Por duket se të gjitha këto pikëpyetje i kalon një dyzim edhe më i madh: Çfarë t’u themi fëmijëve për realitetin? Janë jo të paktë prindërit që e shprehin hapur frikën se mos ndoshta vetëm duke mësuar dhe shumë i edukuar, fëmija nuk do të jetë i zoti të përballojë sfida të vështira në këtë jetë që është bërë e ashpër dhe e ftohtë, dhe ku çdo ditë debati për t’u bërë sa më i pasur zëvendëson atë për vlerat, e ku duket se më i forti është më i rëndësishëm se më i zgjuari.
Kjo frikë, lidhur me atë që ndodh përditë përpara rritjes së fëmijëve tanë, është një sfidë emergjente. Askush nga prindërit nuk do që të ndihet fajtor se nuk i ka treguar fëmijës së tij se si të jetë i vrazhdë me të tjerët. Dhe kjo e fut çdo prind në hullinë e së pazakonshmes, pasi është gati e pamundur ta edukosh një fëmijë që edhe të jetë më i miri dhe më i edukuari me shokët dhe në shkollë apo në lagjet tona, e ndërkohë të jetë edhe më i forti, duke menduar që vetëm të mos ia hedhin në lagje apo në shkollë me bashkëmoshatarët.
Natyrisht, ne nuk mundemi t’ua fshehim fëmijëve tanë atë që ndodh jashtë shtëpisë, me fqinjët tanë, me të afërmit tanë, me shokët e shkollës. Por a do të ishte vetëm tregimi për atë që ndodh rruga më e mirë?
Kam frikë se mjaft prindër do të më akuzonin se unë po flas teorikisht, se është e pamundur që tashmë të mendosh vetëm për edukim, pa e përgatitur që të jetë edhe i fortë kur e sulmojnë, edhe i ashpër me ata që nuk e duan. Unë besoj se kjo mendësi është fatale për të ardhmen e një fëmije. Sepse pavarësisht asaj që ndodh, unë besoj se dëshira e shumë njerëzve për një jetë më me shumë dije, më me shumë mirësi dhe më me shumë miq është më e madhe se sa t’i përshtaten realitetit, i cili, gjithsesi, nuk duhet injoruar. Dhe nëse presim ndonjë ndryshim, këtë s’mund ta lëmë as në dorë të fatit, e as në dorë të vetëm mësuesit, pasi do të ishte e pamundur që një mësues të ishte edukator i vetëm i fëmijëve tanë.
Ndaj, nëse presim një të nesërme ndryshe, duhet ta mbjellim atë çdo ditë. Siç thonë kinezët në një fjalë të urtë: “Nëse mendon për vitin e ardhshëm, duhet të mbjellësh grurë; nëse mendon për pas 20 vitesh, duhet të edukosh fëmijët”.
***
Dy vite me parë, kur im bir nisi klasën e parë, i drejtova një letër publike atij (botuar te “Panorama”), ku i kërkoja të mësohej më fëmijët ndryshe nga ai, që të mësonte për të qenë një qytetar i mirë dhe që t’i admironte vetëm ata që ndihmonin dikë, e jo ata që rrëzonin dikë. Atë ditë kisha telefonata apo mesazhe pa fund, për të mos përmendur e-mail-et që vijuan disa ditë. Të gjithë ata që komunikuan më bënë të kuptoj se ata që tentojnë t’u flasin fëmijëve për të ardhmen si qytetarë të mirë, si njerëz të dobishëm, pa pasur frikë nga sfidat që na jep realiteti, nuk janë të paktë. Fundi i fundit, fëmijët tanë do të jetojnë këtu, në këtë vend, me bashkëmoshatarët e tyre, ndaj dhe duhet të shqetësohemi për atë që mendojnë ata bashkërisht. Dhe të gjithë kemi përgjegjësinë për t’u thënë shumë të vërteta për jetën dhe këtë vend, për t’i treguar se të qenit ndryshe nga të tjerët është pasuri e kësaj bote dhe se duke qenë ndryshe, plotësojmë njëri-tjetrin.
Ka shumë prindër, të cilëve u duket e drejtë që të kujdesen vetëm për fëmijët e tyre, duke mos u shqetësuar aspak për atë që duhet të bëjnë ata vetë, e më pas edhe fëmijët e tyre në shoqëri. Por, për aq kohë sa ne nuk jemi kujdesur për fqinjët, për bashkëmoshatarët e fëmijëve tanë, ne në fakt nuk jemi kujdesur as për vetë fëmijët tanë, të cilët do t’i kenë udhëtarët e tyre në jetë për bashkëshortë, kolegë apo miq.
Shumë fëmijë sot kanë informacione pa fund. Çdo informacion është si një tullë – por ata kanë nevojë për një arkitekt që t’u tregojë se si mund të vendosen këto tulla që të jenë të dobishme për të, e jo këto tulla ta zënë poshtë, pa mundur të dalë kurrë në krye. Ndaj, sa më parë nevojitet t’u japim përgjigje disa pyetjeve që kanë të bëjnë me të ardhmen e fëmijëve tanë, e ku s’mundet asesi të besojmë se vetëm mësuesi mund të bëjë gjithçka, por duhet ta ndërtojmë ne të gjithë, pak nga pak, çdo ditë. Dhe nuk ka asgjë t’ua shpjegojmë fëmijëve tanë realitetin, se nga çfarë duhet të ruhen, por është më mirë t’u themi se çfarë mund të bëjnë më mirë, se si mund të jenë më të dobishëm. E, nëse vendosim të gjithë nga një tullë në këtë drejtim, mund të besojmë pa frikë se në fund “banesa” do të jetë e madhe dhe për të gjithë…
Nëse nuk e bëjmë këtë hap gjatë rritjes së tyre, nuk kemi pse të presim të na falënderojnë apo të na kuptojnë atëherë kur na duhet të bashkëbisedojmë me ta.

Posted August 24, 2011 by radiofocus in Opinione

Analist vs. gazetar   Leave a comment



Endri Xhafo

– Refleksion mbi një anomali të tregut mediatik shqiptar –


Deri në vitin 1998 në Shqipëri kishte vetëm “gazetarë”. Editorialistët ishin gazetarë, por edhe pronarët e gazetave e konsideronin veten gazetarë (si p.sh. emblematiku Nikollë Lesi). Kurse “analistët”, siç i njohim ne sot, janë një produkt sa evolutiv aq edhe artificial i tregut mediatik, shfaqur aty nga fundi i viteve ’90.
Në botë, analistët janë dy llojesh: analistë të shtypit dhe analistë shkencorë.
Analistët e shtypit janë reporterë me përvojë të gjatë në terren, që këtë përvojë disavjeçare e mbështesin edhe mbi një formim solid akademik, që shkon deri në gradën e Masterit; si të tillë, bashkë me reporterët, prezantuesit e lajmeve (anchor), redaktorët dhe editorialistët, ata janë një nënkategori e gazetarit. Në Francë për shembull, një nga specialistët më të mirë të marrëdhënieve franko-gjermane është gazetari Daniel Vernet, ish-korrespondent i “Le Monde” në Bon, autor i disa librave në vijim.
Analistët shkencorë, nga ana e tyre, janë universitarë në origjinë, të specializuar gjatë kërkimeve të tyre doktorale në një fushë të caktuar, – si p.sh. konfliktet tribale në Irak, – që punësohen në vijim në universitete, në qendra kërkimesh shkencore apo pranë dikastereve të ndryshme. Autorë librash, ata u ofrojnë ekspertizën e tyre televizioneve, sidomos gjatë konflikteve në zona të largëta të globit.
Janë edhe analistët financiarë, ata që tronditin botën me vlerësime për ekonomitë kombëtare të shteteve të caktuara, si p.sh. David T. Beers i agjencisë së vlerësimit “Standard & Poor’s”, e cila në fillim të muajit retrogradoi notën e borxhit amerikan, duke shkaktuar një zallamahi në bursa. Por këta janë më të rezervuar sa u takon mediave.
Këto pra janë mënyrat “tradicionale” se si mund të bëhesh “analist”, i cili në botën e mediave është një emërtim konvencional dhe jo profesional. Ndaj përgjithësisht analistët e shtypit janë thjesht “gazetarë”, sipas emërtimit të zanatit. Sepse të jesh “gazetar” profesionist (këtu hyjnë edhe gazetarët freelance) në shumë vende perëndimore implikon marrjen e një karte profesionale të gazetarit, sipas disa kushteve strikte, e cila në vende të ndryshme jepet ose nga organizma të profesionit ose nga institucionet shtetërore.
Në Shqipëri, në vitet ’90, të qenët gazetar ishte krenari dhe prestigj. Në profesion kishin punuar emra të tillë si Carlo Bollino, Reis Çiço, Zamira Koleci, Briseida Mema, Vladimir Prela, Benet Koleka, Fatos Baxhaku, Merita Dhimgjoka, Ben Blushi, Vjollca Vokshi, Blendi Fevziu, Armand Shkullaku, Andi Bushati, Edmond Laçi, Aleksandër Furxhi, Ilir Kadia, Lutfi Dervishi, Iris Luarasi, Sokol Balla, Arben Muka, Aleksandër Çipa, Armand Mero, Ilirjan Agolli etj., etj. Emrat e “rinj” të dalë në vitet ’90 ishin përpjekur për të lënë pas atë lloj gazetarie-propagandë dhe patetike të kohës së komunizmit, duke vendosur pa dyshim disa standarde më perëndimore në raportimin e lajmit. Puna e shumë prej tyre ishte një betejë sa për mbijetesën e shtypit edhe për lirinë e shprehjes. Sepse, pavarësisht ndryshimit të sistemit, një autoritarizëm mbytës rrodhi në tërë hierarkinë e shtetit, në emër, paradoksalisht, të të njëjtave parime për të cilat kishin luftuar studentët në dhjetor ’90.
Pra konflikti pushtet-shtyp në vitet ’90 ishte përballja e një pushteti politik, i mësuar deri në atë kohë të ishte absolut, dhe një pushteti mediatik, deri atëherë i mohuar, në kërkim të identitetit dhe forcës së vet. Në këto kushte, kur shtypi donte të ishte një “qen roje” i qeverisë, – dhe këtë nga keqdashja e qëllimtë e ndan vetëm një fije floku, – pushteti kishte vënë pengesa, me argumentin se po mbronte interesat e shumicës. Mirëpo, realiteti shqiptar tregoi se më shumë se interesin publik, pushteti synoi të mbrojë interesat e veta, nëpërmjet famëkeqit “Ligj për Shtypin”, të 11 tetorit 1993. Ligji ishte mjaft i ashpër dhe shërbeu si alibi për të dënuar gazetarë, shpesh me akuza qesharake.
Por më 1998 kjo “moshë e artë” e shtypit po perëndonte dhe pesha specifike e tij po humbte terren në disfavor të radio-televizioneve private.
Po ashtu, disa gazetarë realizuan një kapërcim në politikë (Vladimir Prela, Ben Blushi, Skënder Minxhozi etj.), si diplomatë, zëdhënës apo këshilltarë të politikanëve deri dje në opozitë. Këto zhvillime në tregun mediatik sollën prurje të reja, që nuk kanë reshtur qysh atëherë (e rihapur më 1992, dega e gazetarisë nxori tre brezat e parë të gazetarëve me diplomë pikërisht në vitet ’96, ’97 e ’98).
Ky është edhe momenti i shfaqjes së “analistëve” shqiptarë. Mes tyre kishte disa ish-reporterë, – me disa vite përvojë profesionale dhe jetësore më shumë se gazetarët e rinj, që për t’u distancuar prej tyre u vetëquajtën “analistë”, – por edhe individë që nuk kishin punuar as edhe një ditë të vetme në media. Me një dress code (kostum + kravatë) që i përshtatej staturës së re, ata dallonin nga gazetarët e rinj, ndonjë i veshur edhe keq, që të tërë bashkë, si turma uniforme, në dukje pa individualitet, zhvendoseshin nga një konferencë shtypi në tjetrën, mes pluhurit, vapës dhe shiut të qytetit. Ndaj shumëkush synonte t’i shpëtonte kësaj përkatësie, që nuk ishte më ajo e dikurshmja. Ishte kohë e keqe të ishe gazetar, në kohën e artë të “analistëve”!
Në televizionet e hapur rishtas, – në ndryshim nga mega-produksionet e sotme të disa kanaleve të fuqishëm privatë, të tipit entertainement, – strukturat programore favorizonin, për arsye të kostove të ulëta, emisionet politike të tipit talk show (një drejtues – disa karrige), ku në ato fillesa, por shpesh edhe sot, debati nuk dallon shumë nga bisedat e lira në kafe. Më së shumti analizat ishin (dhe mbeten) komente, të tipit “unë  mendoj”. Nevoja e përhershme e këtyre emisioneve për të ftuar dhe detyrimi i individëve të njëjtë për shkruar edhe në shtyp, si pena të kontraktuara për një numër të caktuar artikujsh, sollën me kohën, nga njëra anë konsumimin e tyre (të paevitueshëm) dhe nga ana tjetër “polivalencën”.
E them me ironi “polivalencën”, sepse askush nuk mund të jetë njëherësh “analist” politik dhe specialist i urbanistikës, njohës i të drejtës kushtetuese dhe i arkitekturës, politolog dhe specialist i trashëgimisë kulturore. Ka vërtet një postulat në profesion, që thotë se “gazetari është specialist i asgjëje dhe njëkohësisht specialist i të gjithave”, por kjo nënkupton aftësinë e tij për të rrëmuar faktet dhe për t’i zbërthyer pastaj ato, mbështetur në përvojën dhe kulturën e tij të përgjithshme.
Ndërkohë që ky soj analistësh, duke mos qenë gazetarë, që lëndë të parë kanë pikërisht faktin, duke mos qenë as analistë shkencorë, të cilëve disiplina shkencore ua imponon shpluhurosjen e fakteve nga arkivat qindravjeçare, ky soj analistësh pra e shpërfill “faktin”. Analiza, si zhanër gazetaresk, mësohet në shkollë. Dhe është një qasje e fakteve të vjetra e të reja me qëllim arritjen e një konkluzioni. Konkluzioni është vetjak dhe si i tillë, i diskutueshëm. Por faktet janë të përbotshme.
Ky soj analistësh janë sot një fenomen. Aspekti artificial i këtij fenomeni është ndikuar edhe nga një vështirësi specifike me të cilën përballen mediat në Shqipëri: mungesa ose vetëmënjanimi nga debati publik i analistëve shkencorë dhe/ose specialistëve të mirëfilltë të fushave të caktuara. Konkretisht, është mjaft e vështirë, në mos ndonjëherë e pamundur, të gjesh dikë që të sjellë në faqet e gazetës apo në valët e radio-televizionit ekspertizën sa u takon për shembull ndryshimeve kushtetuese, ligjit për pushtetin gjyqësor, apo zgjedhjeve presidenciale amerikane. Ata që mund ta bënin këtë, ose i ndruhen etiketimit politik, ose janë pasivë. Atëherë mediat kthehen pa shumë zgjedhje nga analistët e përhershëm polivalentë.
Mirëpo ka disa kohë që mes publikut ka filluar të qarkullojë me humor një frazë e thënë në zhargonin e kryeqytetit: “Je bo si analistët, flet shumë dhe s’thu asigjo”. Koha, me sa duket, nuk po punon më për ta.
Për provë, figurat qendrore të TV Klan dhe TCH, pavarësisht nëse janë shefa, anchor apo drejtues emisionesh, vitet e fundit kanë rizbuluar kënaqësinë e të qenët “gazetar” aktiv. Në raste zgjedhjesh apo ngjarjesh të tjera të mëdha (p.sh. pavarësia e Kosovës), ata dalin rregullisht nga studiot, kapin mikrofonin dhe zbresin në terren. Ndonjë tjetër, si Minxhozi, që eksperienca e shkuar i jep tërë të drejtën ta konsiderojë veten analist të shtypit, në raste intervistash preferon strishën “kryeredaktor i revistës MAPO”. Edhe Mustafa Nano, një rast sui generis, pasi u end ca kohë nëpër emërtime “analist”, “editorialist”, “kolumnist” etj., së fundi, pas disa emisionesh televizive dhe aktivitetit si blogues, duket se po preferon emërtimin “gazetari Mustafa Nano”.
Ç’ndodh me ata që mbeten? Duke mos qenë ajka e inteligjencës shqiptare, shkrimet apo daljet e tyre televizive nuk kanë atë vlerë që kanë proporcionalisht tribunat e intelektualëve të spikatur në faqet e “The New York Times”, “Le Monde” apo “Corriere della Sera”. Një pjesë e tyre janë “bërë” analistë, sepse nuk mundën të bëhen dot gazetarë. Ndonjë tjetër beson vërtet te supremacia e sojit të tij. Një i tillë, burrë i mirë, por pak megaloman, e shprehu qartë këtë në një studio në TCH në zgjedhjet e fundit, kur tha se “analistët bëjnë atë që gazetarët s’e bëjnë dot”. Një pyetje e thjeshtë për të: Briseida Mema (AFP), e cila mund të kryqëzohet në terren me të birin gjithashtu gazetar, apo Benet Koleka (Reuters), Ilirjan Agolli e Armand Mero (VOA), Arben Muka (Deutsche Welle) apo Fatos Baxhaku (Shqip), të tërë këta emra të spikatur, me një përvojë jetësore të pasur, që për një zgjedhje vetjake nuk kanë reshtur për asnjë sekondë së qeni gazetarë, a nuk janë këta të aftë ta analizojnë aktualitetin?
Përbuzja dhe supremacia e pretenduar ndaj gazetarëve është arma e fundit që u ka mbetur “analistëve polivalentë”. Por, sikurse e shpjeguam edhe në fillim, gazetaria dhe analiza nuk janë të papajtueshme. Përkundrazi, analiza është zhanër gazetaresk, njësoj si edhe reportazhi! Kjo duhet ngulitur mirë! Analiza është shpërbërja e një të tëre në elementët e vet përbërës, për t’i përcaktuar ata elementë, për t’i klasifikuar e kuptuar. Analiza e vë aktualitetin në perspektivë dhe e ndihmon publikun për të kuptuar atë që është në lojë dhe mundësitë e zgjidhjes së çështjes. Sa prej të ashtuquajturave “analiza” e bëjnë këtë? Ndaj kur shkrimi nuk i nënshtrohet kësaj metode, më e ndershme është të dalë nën okelion “koment”.
Përfundimisht, anomalia në tërë këtë, qëndron te nëpërkëmbja që “antivlerat” e tregut i bëjnë profesionistit bazë, atij që mbart emrin e zanatit. Që gazetaria të rifitojë prestigjin e dikurshëm, nuk është problem mosha e re, që vazhdon të jetë mbizotëruese në treg. Sepse edhe ata që sapo kanë mbaruar shkollën dhe i futen rishtas gazetarisë, të inkuadruar nga drejtues më me eksperiencë, mund të mësojnë më shpejt. Thuhet se në gazetari 80% e punës mësohet dy vitet e para dhe 20% pjesën tjetër të jetës. Por për të vënë në vend prestigjin e dikurshëm, gazetaria ka nevojë për zanatçinj të përkushtuar. Sepse, siç u thoshte një prej emrave të mësipërm kolegëve të tij të rinj në vitin 1998, “të qenët gazetar, është diçka që duhet merituar çdo ditë”.

Posted August 24, 2011 by radiofocus in Opinione

Vonesat historike   Leave a comment

Dorian Koçi

Vonesat historike janë të pafalshme në jetën e një kombi. Koha si një përcaktim metafizik, që me dëshirën e njerëzve është kthyer në një koncept mekanik, pasi të gjithë kanë rënë dakord që të orientohen në një pikë, ndryshe bota do të ishte një kaos, ka limitet e saj të trashëguara nga gjendja e saj e mëparshme. Ndaj parë në këtë vështrim është e rëndësishme që në jetën e personave dhe të një kombi të tërë, njerëzit apo udhëheqësit politikë të jenë në gjendje të dinë të marrin vendime në momente të caktuara që ndryshe ne i quajmë shanse historike. Shanset historike në vetvete janë ato që ndryshojnë të ardhmen e një kombi dhe shteti dhe mbartin në vetvete tharmin e situatave politike të kohës dhe të aleancave që s’mund të jenë të përhershme përkarshi interesave që janë gjithmonë në ndryshim e sipër. Për këtë arsye, një kombinim i këtyre rrethanave politike me aleanca të frytshme kanë sjellë begati në jetën e kombeve duke ndryshuar fatin e tyre historik shpeshherë dhe në mënyrë të menjëhershme brenda një shekulli.
Një shembull i tillë p.sh është ringjallja dhe dalja e Greqisë në skenën politike të Ballkanit dhe Europës, nga një nocion gjeografik, pjesë përbërëse e Perandorisë Otomane më 1821, në një shtet e komb të formuar, pjesëmarrës në Konferencën e Paqes në Paris 1920 për rregullimin e territoreve të Perandorisë Otomane ku kishte qenë 100 vjet më parë një subjekt i nënshtruar. Por ndërsa fqinjët tanë në gati një shekull gëzonin një ngritje të qëndrueshme të begatisë dhe mirëqenies së tyre duke formuar e konsoliduar kombin dhe shtetin e vet, e kundërta ndodhte me shqiptarët. Në fakt, shqiptarët nuk kanë qenë shumë bujarë me ndërtimin e fatit të tyre historik apo dhe me shfrytëzimin e shanseve në jetën e tyre politike. Për një kohë të gjatë elitat e tyre vazhdonin akoma t’i bënin fresk idesë se brenda Perandorisë Otomane ata ishin shumë të sigurt për të mbijetuar, por mbi të gjitha në këtë vendim influenconte dhe ideja se në gjirin e Perandorisë së madhe Otomane mund të qeverisnin në emër të saj, të ishin ministra, këshilltarë shteti dhe ambasadorë. Kështu, fatin e tyre historik e shikonin ngushtë me fatin politik të Perandorisë Otomane duke e vonuar në këtë lloj mënyre dhe fatin historik të shpalljes së pavarësisë shqiptare.
Në të vërtetë, ata rezultuan të ishin të gabuar pasi rrethanat politike nuk mund të lejonin më perandori të kalbura të mbijetonin dhe aq më tepër lojtarë të vegjël dhe dinakë që qeverisnin territore europiane të saj të lulëzonin akoma në truallin europian. Ndaj Fuqitë e Mëdha europiane të kohës i iniciuan dhe mbështetën aleancat fluide që lindën në Ballkan dhe lejuan që Perandoria Otomane të shpërbëhet, por për fat të mirë jo tërësisht dhe Shqipëria. Shqiptarët u lejuan që të krijonin shtetin e tyre, por në një territor shumë më të cunguar sesa ishte shtrirja e tyre në Ballkan. Kështu, vonesa historike për të krijuar shtetin e tyre ishte e pafalshme dhe u bë dënuese jo vetëm për popullsinë shqiptare, por dhe për elitën e saj, një pjesë e së cilës humbi identitet dhe u shpërbë nën mekanizmin dërmues të rënies së Perandorisë kurse një pjesë tjetër që u kthye në Shqipëri solli si peshqesh intrigat dhe pazaret e dikurshme të politikës otomane në skenën e re të politikës shqiptare. Kjo ishte ndoshta dhe një nga arsyet që Shqipëria vazhdoi të kishte vazhdimisht një qeveri qendrore të dobët, pasi politikanët lokalë të mësuar me hapësirat e mëdha perandorake nuk mund t’i përtypnin lehtë realitetet e reja për të qenë besnikë e luajalë të një qeverie e shteti të vogël. Elitës politike shqiptare, vazhdimisht i dukesh sikur bënte lojëra të mëdha duke hyrë në aleanca të dyshimta me elitat e vendeve fqinje dhe për të shijuar pak pushtet, bënte allishverishe nga më të ndryshmet politike që në krenarinë e tyre lokale shitej si zotësi dhe poshtërim i kundërshtarit duke sjellë në këtë lloj mënyre absolutizëm idesh për prosperitetin e Shqipërisë, por dhe vonesë historike në rrugëtimin të saj drejt Europës. A nuk ishin flirtet me elitat e vendeve fqinje në vitet ‘20 dhe themelimi i monarkisë më pak liberale në rajon që e lidhi fatin e vet pas qerres së fashizmit italian një vonesë e madhe historike? Si do të ishte Shqipëria dhe jeta politike e saj nëse regjimi zogist do të kishte krijuar një traditë pluralizmi? Po përqafimi i komunizmit dhe ndërtimi i një sistemi që në vitet ‘90 e la Shqipërinë vendin më të varfër në Europë a nuk ishte një vonesë e tmerrshme historike pasojat e së cilës i vuajmë dhe sot? Si do të ishte Shqipëria sot nëse në vitet ‘60 udhëheqja komuniste e kohës bënte një ndryshim kursi rreth Perëndimit dhe vlerave politike e kulturore të tij? Në të dyja rastet elitat politike i paguan rëndë vonesat e tyre historike jo vetëm në aspektin mbarëkombëtar, por dhe në atë personal. Një pjesë e tyre emigroi jashtë vendit dhe vdiq në emigracion pa mundur më të kontribuojë në Shqipëri apo jetoi tërësisht nën hijen e tmerrshme të anonimatit. Ideja se jemi mirë dhe nuk ndryshojmë ka qenë vdekjeprurëse për të gjitha sistemet politike dhe nëna e vonesave historike që u kanë kushtuar rëndë shteteve dhe kombeve.
Në afrimin e festimeve të njëqindvjetorit të pavarësisë, shqiptarët nuk kanë shumë gjëra në jetën politike të tyre për t’u mburrur dhe as shumë zakone të mira politike për t’i transmetuar, por të paktën pas këtij rrugëtimi të gjatë e të lodhshëm për të hyrë në Europë ka ardhur koha që klasa e vet politike të marrë përgjegjësitë e veta për të harruar interesat e ngushta dhe lokale dhe për t’i dhënë vendit për herë të parë realizimin e një shansi historik. Sot, Shqipëria është më afër se kurrë Europës falë rrethanave politike, por dhe aleancave të frytshme të ndërtuara si pasojë e gjeopolitikës, ndaj do të ishte e pafalshme që vendi të vazhdojë të vuajë në stacionim politik dhe vonesë historike. Mirëpo, për fat të keq, vërehet se elita politike shqiptare po sillet sërish si elitat e mëparshme duke fjetur në gjumë dafinash dhe duke menduar se pranimi në NATO dhe liberalizimi i vizave janë elemente të mjaftueshme të progresit dhe se tashmë duhet të përfundojnë akoma disa pazare të pista para se të hyjnë në mekanizmin kontrollues të Brukselit. Në fakt, në këto llogaritje bakallësh tregojnë sesa të mjerë janë në vetvete, pasi vala gjithëpërfshirëse e integrimit të rajonit është shumë më e rëndësishme për Uashingtonin dhe Brukselin sesa llogaritjet e tyre të vogla prej dallaveraxhinjsh të përparimit. Shembulli i elitave të Rumanisë dhe Bullgarisë që me politikat e tyre të mbrapshta më 2001-2004 bënin ç’ishte e mundur që të shtynin integrimin duke pretenduar në publik se këtë gjë e kishin dëshirën më të madhe dhe në realitet nuk plotësonin kushtet e vendosura nga BE duhet të japë leksione dhe për klasën tonë politike, pasi BE influencoi drejtpërsëdrejti në politikën e tyre të brendshme me riformatimin e qeverive të tjera që i sollën këto vende drejt anëtarësimit më 2007. Një gjë e tillë ka shumë gjasa të ndodhë dhe tani në muajin shtator që shënon dhe fundin e stinës së nxehtë dhe fillimin e një sezoni të ri për politikën shqiptare. Bashkimi Europian pas dhënies së opinionit të tij në tetor do të fillojë të ndërhyjë fort në jetën politike shqiptare duke filluar të ketë shumë më tepër zë për dukuri që ka shkelur njërin në sy kinse për të përforcuar pushtete që duhen të jenë të pavarura, por në fakt janë kalbur aq shumë sa nuk mbahen dot në këmbë që të quhen të tilla, ndaj do të ishte e udhës që ato forca të thella dhe pozitive që janë brenda elitës politike shqiptare të fillojnë të realizojnë vetë ndryshimin e madh duke u ulur seriozisht në tryezën e bisedimeve për të zhbllokuar situatën, nëse nuk dëshirojnë të kenë fatin e atyre paraardhëse. Këtë gjë të paktën ia kanë borxh vetes dhe të ardhmes së tyre, por mbi të gjitha Shqipërisë dhe neve që i votojmë çdo katër vjet.

Posted August 24, 2011 by radiofocus in Opinione