BEHAR GJOKA – ATDHEU ËSHTË DJEPI DHE VARRI KU SHËTISIM   Leave a comment

Nga: Mustafa Nano
Behar Gjoka

Flet për konceptet e tij të jetës në rubrikën e MAPO-s studiuesi i letërsisë Behar Gjoka. Si e shikon ai pasurinë e gjuhës shqipe, kulturën e saj dhe nga ana tjetër shtjellon konceptet e ndryshme për jetën, shoqërinë dhe historinë


1 – Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
Zoti për mua ekziston, por në momentin që kërkojmë që ta shohim ngjet shkërbimi i beftë i tij në paprani. Nëse beson, Zoti ekziston, pra nuk mund të vihet në dyshim qenësia e tij.

2 – Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
Gjuha shqipe duket e varfër, por në fakt nuk është ashtu, po të hedhësh një vështrim në kohën mitike, pra pellazgjike që vijon të endet si një pluhur kozmik nëpër gjuhët e tjera, por edhe në kohën historike, pra me Pal Engjullin dhe Formulën e Pagëzimit të vitit 1462.
Edhe gjuha shqipe është një sistem, që shpalohet jo simbas një rregulli të caktuara.

3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
Njerëzit lindin të mirë, por në varësi të rrethanave të ndryshme, ose mbeten të tillë përjetësisht, ose rrugëtojnë nëpër shtigje të çuditshme, në varësi të fatit… Në betejën midis tyre, zakonisht e keqja mundet nga vetvetja dhe del në pah e mira.

4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?
Mendoj se po, nëse fëmija e mendon si një përvojë që i shërben, pavarësisht nga fakti se është djalë apo vajzë, e mbi të gjitha duke e parë këtë si një moment ku edhe provon se po i dalin krahët që përmend Markesi, në mënyrë që ta nisë fluturimin e shumëdëshiruar.

5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
Ka diçka midis legjendës dhe realitetit, megjithatë është një fakt i pranishëm, i cili ruan disa ekuilibre të brishta të shoqërisë shqiptare, që nëse zënë e prishen me regjistrime specifike fetare, enkas për shqiptarët, ka më shumë gjasa që ta humbasë kuptimin si e tillë.

6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
Padyshim, madje shoh më shumë nga sa mendohet, në troje, doke dhe mentalitet. Mbi të gjitha është uniteti gjuhësor, që edhe mbas një shekulli ndarjesh me kufij të pakalueshëm politikë, gjuha na zbulohet si një limfë përbashkuese e fatit të përbashkët dhe të pandarë të tyre, si dy pjesë thelbësore të trojeve dhe të kombit shqiptar.

7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
Vajza… Dikur kam patur fatin të luaja në dramën Çështja e Blertës, të dramaturgut Fadil Kraja. Dhe kur erdhi në jetë në vitin 1993 i vura emrin asaj… 

8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
Vrasja është absurde në çdo lloji sistemi, ndërsa në demokraci është e patolerueshme. Jeta nuk merret për asnjë arsye, aq më pak për shkaqe shtetërore, pra pushtetmarrëse apo pushtetmbajtëse.

9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
Nga leximet e disa librave pas viteve 1990, më rezulton se ka bërë një grusht shteti, në kuptimin se ka rrëzuar me dhunë dhe jo me mjete demokratike, një pushtet legjitim të dalë nga votimet. Figura e Nolit mbetet në histori për autoqefalinë e kishës ortodokse, si dhe për vlerat që solli në kulturën dhe letërsinë shqipe.

10. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
Për mua ka qenë luftë çlirimtare dhe civile, porse caqet e tyre, se ku fillon dhe ku mbaron ndarja, është e vështirë që të vendosen, aq më tepër që historianët tanë, të ndarë në të majtë dhe të djathtë, më tepër kanë punuar për të mos hedhur dritë mbi faktet siç ndodhën atëherë, e jo si u treguan nga fitimtarët e pushtetit monist.

11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
Realiteti bardhë e zi po na lë peng i kohës që lamë pas, e tashmë i përmbysur në zi dhe bardhë, por që sërish në fakt shpesh herë na ngatërrohet nëpër këmbë, por shkolla dhe arsimi gjeti një shtrirje të madhe, natyrisht së bashku me politizimin e jashtëzakonshëm.

12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?
Kush dha jetën për liri, ballist apo partizan, ka kryer një akt të shenjtë… Ideali kombëtar është më i madh se internacionalja e idologjisë utopike të komunizmit, pra në atë kohë nuk kishe asnjë mundësi të ishe asnjanës.

13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
Për mua, në fakt është i kuptueshëm dhe i mirëkuptueshëm, gjithnjë e lidhur ngushtësisht me atmosferën e luftës, jo si pacifist, ku nuk kishte shumë argumenta, që shqiptarët të hynin në një betejë shkatërrimtare me Italinë e Musolinit.

14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
Pamëdyshje që duhet përkthyer, madje nuk arrijë ta kuptojë vonesën e këtyre viteve. Botës nuk i vjen e keqja nga librat, por nga mosdija se çfarë ngjet në këtë rruzullim, që më shumë se sa gjithkund e gjejmë të materializuara nëpër libra.

15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
Gjyshi, i cili me rrëfimet fantastike, si dhe me mënyrën e çuditshme se si tregonte më nxiti që të lidhesha me letërsinë…

16. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
Një greminë ku u rrokullis shteti, pushteti dhe një pjesë e madhe e popullit shqiptar, vetëm në disa sekonda, si dhe një kohë pa kohë, që ka lënë armët në duart e njerëzve dhe nuk ka ditë të këtyre moteve, që të mos lodrohet me to në mënyrë të pakuptueshme. 

17. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
Njeriu është qenia e vetme me arsye, por që e ka të pranishme edhe pjesën e instikteve. Mos e provofshim… Dy jetë janë më shumë se një, jam rrekur ta shtjelloj në një tregim me titull Një ditë në vitin 1996… Vrasja sjellë vetëm zi dhe tmerr dhe shkatërron çdo rrem jete.

18. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
Gjeografikisht dhe historikisht po, ndonëse nga pikëpamjet politike dhe ekonomike ka aspekte të një dallimi të prekshëm, e sidomos këto bëhen edhe më të dukshme në mënyrën e jetesës së tanishme, ku sërish jemi larg standardeve të kontinentit, që në fakt e përlindi gadishulli ynë.
19. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?
Në shembjen e murit të Berlinit, sepse aty njerëzia dhe koha vuri re humnerën e një ndarje të padrejtë dhe shkatërrimtare të vlerave dhe antivlerave njerëzore, që ngjau në shekullin e ekstremeve.

20. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
Me Ahmet Zogun, mbretin e shqiptarëve, për të kuptuar se si arriti të bëhej ministër, kryeministër, por edhe të jepte dorëheqje disa herë, si dhe të bëhej edhe mbret në këtë hapësirë që zakonisht i kapërdinë bijtë e vetë.
21: Cili është libri që po lexoni?
Do të habiteni, por është përmbledhja poetike Vargjet e Lira të Migjenit. Në fakt po e rilexoj, sepse po shkruaj një libër studimor, mbi tekstet dhe formësimin e letrares së autorit, të titulluar Migjeni – prijës i modernizmit.

22. Cili komb europian ju ndjellë më shumë me historinë e me kulturën e vet?
Gjermania, për letërsinë dhe artin, për kontributin e shkencëtarëve gjermanë për hedhjen e themeleve të shkencës së albanologjisë, për vitalitetin dhe aftësinë përlindëse, që sidomos mbas Luftës së Dytë Botërore, ia mbërriti të dalë nga tuneli sërish, e të jetë në avangard [pararojë] të zhvillimit dhe prosperitetit të kontinentit.

23. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homeseksual(e)?
Nuk do të ndjehasha fort mirë, por dera do të ishte e hapur, sepse ku tjetër mundet të trokas fëmija.

24. Keni frikë nga vdekja?
Edhe po, edhe jo. Hëm, dikur në vitin 2006, në operacionin që kam bërë në spitalin ushtarak, sikur e kam takur për disa sekonda…

25. Ç’është Atdheu?
Djepi dhe varri, pra është autostrada ku shetisim për aq sa mundemi në këtë jetë, ndërkaq është edhe hija që na çapon hapat kudoqë shkojmë.

Advertisements

Posted August 24, 2011 by radiofocus in Intervista

Analist vs. gazetar   Leave a comment



Endri Xhafo

– Refleksion mbi një anomali të tregut mediatik shqiptar –


Deri në vitin 1998 në Shqipëri kishte vetëm “gazetarë”. Editorialistët ishin gazetarë, por edhe pronarët e gazetave e konsideronin veten gazetarë (si p.sh. emblematiku Nikollë Lesi). Kurse “analistët”, siç i njohim ne sot, janë një produkt sa evolutiv aq edhe artificial i tregut mediatik, shfaqur aty nga fundi i viteve ’90.
Në botë, analistët janë dy llojesh: analistë të shtypit dhe analistë shkencorë.
Analistët e shtypit janë reporterë me përvojë të gjatë në terren, që këtë përvojë disavjeçare e mbështesin edhe mbi një formim solid akademik, që shkon deri në gradën e Masterit; si të tillë, bashkë me reporterët, prezantuesit e lajmeve (anchor), redaktorët dhe editorialistët, ata janë një nënkategori e gazetarit. Në Francë për shembull, një nga specialistët më të mirë të marrëdhënieve franko-gjermane është gazetari Daniel Vernet, ish-korrespondent i “Le Monde” në Bon, autor i disa librave në vijim.
Analistët shkencorë, nga ana e tyre, janë universitarë në origjinë, të specializuar gjatë kërkimeve të tyre doktorale në një fushë të caktuar, – si p.sh. konfliktet tribale në Irak, – që punësohen në vijim në universitete, në qendra kërkimesh shkencore apo pranë dikastereve të ndryshme. Autorë librash, ata u ofrojnë ekspertizën e tyre televizioneve, sidomos gjatë konflikteve në zona të largëta të globit.
Janë edhe analistët financiarë, ata që tronditin botën me vlerësime për ekonomitë kombëtare të shteteve të caktuara, si p.sh. David T. Beers i agjencisë së vlerësimit “Standard & Poor’s”, e cila në fillim të muajit retrogradoi notën e borxhit amerikan, duke shkaktuar një zallamahi në bursa. Por këta janë më të rezervuar sa u takon mediave.
Këto pra janë mënyrat “tradicionale” se si mund të bëhesh “analist”, i cili në botën e mediave është një emërtim konvencional dhe jo profesional. Ndaj përgjithësisht analistët e shtypit janë thjesht “gazetarë”, sipas emërtimit të zanatit. Sepse të jesh “gazetar” profesionist (këtu hyjnë edhe gazetarët freelance) në shumë vende perëndimore implikon marrjen e një karte profesionale të gazetarit, sipas disa kushteve strikte, e cila në vende të ndryshme jepet ose nga organizma të profesionit ose nga institucionet shtetërore.
Në Shqipëri, në vitet ’90, të qenët gazetar ishte krenari dhe prestigj. Në profesion kishin punuar emra të tillë si Carlo Bollino, Reis Çiço, Zamira Koleci, Briseida Mema, Vladimir Prela, Benet Koleka, Fatos Baxhaku, Merita Dhimgjoka, Ben Blushi, Vjollca Vokshi, Blendi Fevziu, Armand Shkullaku, Andi Bushati, Edmond Laçi, Aleksandër Furxhi, Ilir Kadia, Lutfi Dervishi, Iris Luarasi, Sokol Balla, Arben Muka, Aleksandër Çipa, Armand Mero, Ilirjan Agolli etj., etj. Emrat e “rinj” të dalë në vitet ’90 ishin përpjekur për të lënë pas atë lloj gazetarie-propagandë dhe patetike të kohës së komunizmit, duke vendosur pa dyshim disa standarde më perëndimore në raportimin e lajmit. Puna e shumë prej tyre ishte një betejë sa për mbijetesën e shtypit edhe për lirinë e shprehjes. Sepse, pavarësisht ndryshimit të sistemit, një autoritarizëm mbytës rrodhi në tërë hierarkinë e shtetit, në emër, paradoksalisht, të të njëjtave parime për të cilat kishin luftuar studentët në dhjetor ’90.
Pra konflikti pushtet-shtyp në vitet ’90 ishte përballja e një pushteti politik, i mësuar deri në atë kohë të ishte absolut, dhe një pushteti mediatik, deri atëherë i mohuar, në kërkim të identitetit dhe forcës së vet. Në këto kushte, kur shtypi donte të ishte një “qen roje” i qeverisë, – dhe këtë nga keqdashja e qëllimtë e ndan vetëm një fije floku, – pushteti kishte vënë pengesa, me argumentin se po mbronte interesat e shumicës. Mirëpo, realiteti shqiptar tregoi se më shumë se interesin publik, pushteti synoi të mbrojë interesat e veta, nëpërmjet famëkeqit “Ligj për Shtypin”, të 11 tetorit 1993. Ligji ishte mjaft i ashpër dhe shërbeu si alibi për të dënuar gazetarë, shpesh me akuza qesharake.
Por më 1998 kjo “moshë e artë” e shtypit po perëndonte dhe pesha specifike e tij po humbte terren në disfavor të radio-televizioneve private.
Po ashtu, disa gazetarë realizuan një kapërcim në politikë (Vladimir Prela, Ben Blushi, Skënder Minxhozi etj.), si diplomatë, zëdhënës apo këshilltarë të politikanëve deri dje në opozitë. Këto zhvillime në tregun mediatik sollën prurje të reja, që nuk kanë reshtur qysh atëherë (e rihapur më 1992, dega e gazetarisë nxori tre brezat e parë të gazetarëve me diplomë pikërisht në vitet ’96, ’97 e ’98).
Ky është edhe momenti i shfaqjes së “analistëve” shqiptarë. Mes tyre kishte disa ish-reporterë, – me disa vite përvojë profesionale dhe jetësore më shumë se gazetarët e rinj, që për t’u distancuar prej tyre u vetëquajtën “analistë”, – por edhe individë që nuk kishin punuar as edhe një ditë të vetme në media. Me një dress code (kostum + kravatë) që i përshtatej staturës së re, ata dallonin nga gazetarët e rinj, ndonjë i veshur edhe keq, që të tërë bashkë, si turma uniforme, në dukje pa individualitet, zhvendoseshin nga një konferencë shtypi në tjetrën, mes pluhurit, vapës dhe shiut të qytetit. Ndaj shumëkush synonte t’i shpëtonte kësaj përkatësie, që nuk ishte më ajo e dikurshmja. Ishte kohë e keqe të ishe gazetar, në kohën e artë të “analistëve”!
Në televizionet e hapur rishtas, – në ndryshim nga mega-produksionet e sotme të disa kanaleve të fuqishëm privatë, të tipit entertainement, – strukturat programore favorizonin, për arsye të kostove të ulëta, emisionet politike të tipit talk show (një drejtues – disa karrige), ku në ato fillesa, por shpesh edhe sot, debati nuk dallon shumë nga bisedat e lira në kafe. Më së shumti analizat ishin (dhe mbeten) komente, të tipit “unë  mendoj”. Nevoja e përhershme e këtyre emisioneve për të ftuar dhe detyrimi i individëve të njëjtë për shkruar edhe në shtyp, si pena të kontraktuara për një numër të caktuar artikujsh, sollën me kohën, nga njëra anë konsumimin e tyre (të paevitueshëm) dhe nga ana tjetër “polivalencën”.
E them me ironi “polivalencën”, sepse askush nuk mund të jetë njëherësh “analist” politik dhe specialist i urbanistikës, njohës i të drejtës kushtetuese dhe i arkitekturës, politolog dhe specialist i trashëgimisë kulturore. Ka vërtet një postulat në profesion, që thotë se “gazetari është specialist i asgjëje dhe njëkohësisht specialist i të gjithave”, por kjo nënkupton aftësinë e tij për të rrëmuar faktet dhe për t’i zbërthyer pastaj ato, mbështetur në përvojën dhe kulturën e tij të përgjithshme.
Ndërkohë që ky soj analistësh, duke mos qenë gazetarë, që lëndë të parë kanë pikërisht faktin, duke mos qenë as analistë shkencorë, të cilëve disiplina shkencore ua imponon shpluhurosjen e fakteve nga arkivat qindravjeçare, ky soj analistësh pra e shpërfill “faktin”. Analiza, si zhanër gazetaresk, mësohet në shkollë. Dhe është një qasje e fakteve të vjetra e të reja me qëllim arritjen e një konkluzioni. Konkluzioni është vetjak dhe si i tillë, i diskutueshëm. Por faktet janë të përbotshme.
Ky soj analistësh janë sot një fenomen. Aspekti artificial i këtij fenomeni është ndikuar edhe nga një vështirësi specifike me të cilën përballen mediat në Shqipëri: mungesa ose vetëmënjanimi nga debati publik i analistëve shkencorë dhe/ose specialistëve të mirëfilltë të fushave të caktuara. Konkretisht, është mjaft e vështirë, në mos ndonjëherë e pamundur, të gjesh dikë që të sjellë në faqet e gazetës apo në valët e radio-televizionit ekspertizën sa u takon për shembull ndryshimeve kushtetuese, ligjit për pushtetin gjyqësor, apo zgjedhjeve presidenciale amerikane. Ata që mund ta bënin këtë, ose i ndruhen etiketimit politik, ose janë pasivë. Atëherë mediat kthehen pa shumë zgjedhje nga analistët e përhershëm polivalentë.
Mirëpo ka disa kohë që mes publikut ka filluar të qarkullojë me humor një frazë e thënë në zhargonin e kryeqytetit: “Je bo si analistët, flet shumë dhe s’thu asigjo”. Koha, me sa duket, nuk po punon më për ta.
Për provë, figurat qendrore të TV Klan dhe TCH, pavarësisht nëse janë shefa, anchor apo drejtues emisionesh, vitet e fundit kanë rizbuluar kënaqësinë e të qenët “gazetar” aktiv. Në raste zgjedhjesh apo ngjarjesh të tjera të mëdha (p.sh. pavarësia e Kosovës), ata dalin rregullisht nga studiot, kapin mikrofonin dhe zbresin në terren. Ndonjë tjetër, si Minxhozi, që eksperienca e shkuar i jep tërë të drejtën ta konsiderojë veten analist të shtypit, në raste intervistash preferon strishën “kryeredaktor i revistës MAPO”. Edhe Mustafa Nano, një rast sui generis, pasi u end ca kohë nëpër emërtime “analist”, “editorialist”, “kolumnist” etj., së fundi, pas disa emisionesh televizive dhe aktivitetit si blogues, duket se po preferon emërtimin “gazetari Mustafa Nano”.
Ç’ndodh me ata që mbeten? Duke mos qenë ajka e inteligjencës shqiptare, shkrimet apo daljet e tyre televizive nuk kanë atë vlerë që kanë proporcionalisht tribunat e intelektualëve të spikatur në faqet e “The New York Times”, “Le Monde” apo “Corriere della Sera”. Një pjesë e tyre janë “bërë” analistë, sepse nuk mundën të bëhen dot gazetarë. Ndonjë tjetër beson vërtet te supremacia e sojit të tij. Një i tillë, burrë i mirë, por pak megaloman, e shprehu qartë këtë në një studio në TCH në zgjedhjet e fundit, kur tha se “analistët bëjnë atë që gazetarët s’e bëjnë dot”. Një pyetje e thjeshtë për të: Briseida Mema (AFP), e cila mund të kryqëzohet në terren me të birin gjithashtu gazetar, apo Benet Koleka (Reuters), Ilirjan Agolli e Armand Mero (VOA), Arben Muka (Deutsche Welle) apo Fatos Baxhaku (Shqip), të tërë këta emra të spikatur, me një përvojë jetësore të pasur, që për një zgjedhje vetjake nuk kanë reshtur për asnjë sekondë së qeni gazetarë, a nuk janë këta të aftë ta analizojnë aktualitetin?
Përbuzja dhe supremacia e pretenduar ndaj gazetarëve është arma e fundit që u ka mbetur “analistëve polivalentë”. Por, sikurse e shpjeguam edhe në fillim, gazetaria dhe analiza nuk janë të papajtueshme. Përkundrazi, analiza është zhanër gazetaresk, njësoj si edhe reportazhi! Kjo duhet ngulitur mirë! Analiza është shpërbërja e një të tëre në elementët e vet përbërës, për t’i përcaktuar ata elementë, për t’i klasifikuar e kuptuar. Analiza e vë aktualitetin në perspektivë dhe e ndihmon publikun për të kuptuar atë që është në lojë dhe mundësitë e zgjidhjes së çështjes. Sa prej të ashtuquajturave “analiza” e bëjnë këtë? Ndaj kur shkrimi nuk i nënshtrohet kësaj metode, më e ndershme është të dalë nën okelion “koment”.
Përfundimisht, anomalia në tërë këtë, qëndron te nëpërkëmbja që “antivlerat” e tregut i bëjnë profesionistit bazë, atij që mbart emrin e zanatit. Që gazetaria të rifitojë prestigjin e dikurshëm, nuk është problem mosha e re, që vazhdon të jetë mbizotëruese në treg. Sepse edhe ata që sapo kanë mbaruar shkollën dhe i futen rishtas gazetarisë, të inkuadruar nga drejtues më me eksperiencë, mund të mësojnë më shpejt. Thuhet se në gazetari 80% e punës mësohet dy vitet e para dhe 20% pjesën tjetër të jetës. Por për të vënë në vend prestigjin e dikurshëm, gazetaria ka nevojë për zanatçinj të përkushtuar. Sepse, siç u thoshte një prej emrave të mësipërm kolegëve të tij të rinj në vitin 1998, “të qenët gazetar, është diçka që duhet merituar çdo ditë”.

Posted August 24, 2011 by radiofocus in Opinione

Nita – My Shinin’ Light   Leave a comment

Posted August 24, 2011 by radiofocus in Muzikë

MURAT ISAKU – M’I KËPUSIN KOKRRAT E FRYMËS (Poezi)   Leave a comment

MURAT ISAKU
M’I KËPUSIN KOKRRAT E FRYMËS
Shtëpia botuese
Albas
2008
Libri u përgatit për botim nga bijat e shkrimtarit të ndjerë: Luljeta, Laura dhe Arta 

Recensentë:
Alush Kamberi
Ramiz Hoxha
Parathënia:
Salajdin Salihu


NË VEND TË PARATHËNIES
Murat Isaku u rikthye në mesin tonë me për-mbledhjen poetike M’i këpusin kokrrat e frymës, për botimin e të cilit u përkujdesën bijat e tij të dashura, të cilat, të lidhura emocionalisht, për më shumë se tre vite nuk kishin gjetur forcë që të hap-nin dorëshkrimin.
Murat Isaku u rikthye pasi, paraprakisht, kishte krijuar një perandori letrare përgjatë disa dhjetëvjeçarëve.
U rikthye si përherë… si poet. Sepse poetët, edhe kur duket se kanë ikur përgjithmonë, befas rikthehen. Rikthehen për lexuesit e së nesërmes. Më saktësisht, Murat Isaku, ka qenë gjithnjë në botën që s’e braktisi kurrë – botën letrare, ku është i dënuar që të mbetet përgjithmonë.
Përgjatë një jete ai shkroi romane, tregime, poezi, me një përkushtim të habitshëm, me një vullnet të jashtëzakonshëm, me një fuqi titanike, pa të cilat nuk merresh dot me letërsi.
Në këtë rrugëtim krijues thoshte se shpesh kishte ndjerë lodhje. E kishte lodhur tipizimi i Eng Humballait te Plagët, atëherë kur Gjata e ngar-konte në shpinë trupin e tij pa kokë dhe e varroste majë një kodre që madhështia e tij të shëmbëllente me lartësinë e majës.
Te Rreckajt e kishte lodhur humbëtira ku babë e bir gjendeshin në terrin e thukur, njëri në grahmat e fundit të jetës, tjetri duke mos e kuptuar se ai që vdiste ishte babai i tij…
Më shumë lodhej kur nuk shkruante. Ndjehej i shkretë. Thoshte se ndjehej nervoz, enda-cak, fjalëpakë, neurastenik. Kur i rrekej veprës atëherë i duhej vetëm qetësi dhe të gjithëve ua shtronte një lutje të madhe: ta linin të qetë në hallet e shkrimit…
Kur kishte punuar romanet Plagët dhe Rre-ckajt, ishte zvarritur nëpër varrezat e Teqes. Kishte folur me të vdekurit. Kishte folur me nje-riun e fshehur brenda vetes. Kishte dëgjuar zërat që vinin nga përtej dhe më pas kishte nisur të rrë-fente me gojën e personazheve të tij.
Teksa e shkruante tregimin “Thuthuqi i pa-vijonit numër katër”, shpesh e vizitonte Bardovcën (ku gjendet spitali neuropsikiatrik). “Lirisht mund të them se ai është shkruar në një gjendje gjysmë çmendie”.
II.
Ndonëse kishim një distancë e madhe moshe ai sillej me ne, krijuesit e rinj, si një bashkë-moshatar.
Ai do të mbetet në kujtesën e brezit tim si aristokrati i një mjedisi gjysmë të urbanizuar që gjallonte nën trysninë e thashethemnajës dhe nën shtrëngimin e tymnajës së spekulimeve.
Ai do të ngelet në kujtesë si shkrimtari që letërsinë e konsideronte si religjion.
Ai do të mbetet në kujtesë si shkrimtari që iu gëzua sukseseve dhe u pikëllua në dështimet tona.
Ai do të mbetet në kujtesë si shkrimtari që na motivoi kur kishim më tepër nevojë për fjalën e një njeriu që kishte bërë emër në letrat shqipe.
Kur ne nxitoheshim ai na kujtonte se letër-sia është gjuhë, magji e saj.
Kur ne shpejtonim të dukeshim, ai na kujto-nte se lavdia ishte një keqkuptim dhe deprivatizim.
Nga takimet me të e kemi përjetuar ndje-njën e Cvajgut nga takimi me Romen Rolandin: se njeriu sa më i madh që ishte po aq ishte më i dashur dhe më i përzemërt. Lavdia nuk ndikonte në mënyrën e tij të të jetuarit. Ajo ishte jashtë tij, diku, matanë, e pahetueshme nga shkrimtari.
Ai do të mbetet në kujtesën e brezit tim si shkrimtari që nuk mund të rrinte gjatë kohë larg forcave demoniake të krijimit.
Hiç letërsinë nga jeta e tij dhe ajo do të ishte krejtësisht e varfër, thuajse e pavlerë. Nëse do t’i duhej që ta jetonte vetëm atë jetë jashtë letërsisë, do të kishte vdekur shumë i ri. Ai punoi me orë të tëra dhe kur dilte në botën tonë ishte krejtësisht i humbur. Ishte letërsia që e mbante gjallë.
Te ky shkrimtar vështirë mund të hiqej një paralele ndërmjet Isakut qytetar i rëndomtë dhe atij shkrimtar.
Për Isakun do të mund të shkruhej një libër i veçantë me ndodhitë interesante në jetën e tij – veçmas për  “harresën”. Në fakt, në botën jashtë le-tërsisë dukej i humbur dhe harrestar. Në këtë botë mendonte për botën tjetër, atë të sajuarën, realitetin e përfytyruar, me të cilin ishte njëjtësuar. Nga bota e këndejshme merrte atë që i duhej shkrimtarit për të sajuar botën e tij të epërme. Gjërat tjera, që shumëkush i pandeh të vlefshme, ua lente të tjerëve, pa ndjerë fare xhelozi. Për një shkrimtar është e vlefshme diçka tjetër, që atij i hyn në punë, teksa të tjerët as që mund ta vërejnë…
III.
Murat Isaku shkruante “për të mbetur njeri”, kurse shkrimi për të ishte “dhembje e ëmbël që provokon të gjitha qelizat e gjalla dhe krijon simfoninë e harmonisë”. Në krijimtarinë e tij tragjikja zë vendin kryesor. Shkrimtari thoshte: “tragjikja është më e fortë se lumturia, sikurse edhe dhembja më e fortë se gëzimi”.
Isaku nuk besoj të ketë qenë i lumtur, por dihet se ka qenë kërkimtar i vazhdueshëm, veça-nërisht i fjalës. Ai do të mbetet përgjithmonë në letërsinë shqipe për gjuhën e tij të pasur poetike, madje, besoj, se studiuesit e së nesërmes do të merren me atë shumësi fjalësh që e pasurojnë le-ksikun e gjuhës sonë. Ai kërkoi fjalë plaka e të harrueme, siç do të thoshte Pjetër Bodgani, për të krijuar kështjellën e tij artistike. Me fjalë të rralla, që përdoren në trevat tona, hijeshoi mrekullisht kështjellën e tij artistike.
Në vjeshtën e jetës së tij ai merrej me, sikur thoshte, disi me një ironi të fshehur, “ristudimin” e tërësishëm të veprave të tij.
“Nganjëherë mendoj se po t’i shkruaja tani, në disa  prej tyre, do të kisha qasje tjetër, por ky ësh-të vetëm përfytyrim”.
Në fakt ai nuk i ka rishkruar veprat e tij. I la ashtu siç i kishte shkruar dikur, normalisht me disa përmirësime tejet të vogla. Megjithatë, në bisedat me të e kuptonim se ai mbetej i pakënaqur me nivelin e disa veprave që kishte shkruar. Madje, pikërisht me ato që kritika i ka konsideruar si më të realizuarat artistikisht. Kjo ndjenjë e shoqëron çdo krijues serioz. Murat Isakun patjetër. Madje shpesh ia thosha me shaka: Po çka do të përmirësoje pikërisht këtu, kur s’ka vend për kurrfarë ndërhyrjeje. Po madhështia e shkrimtarit këtu shihet: jo tek fletët që ka shkruar, por tek fletët që ka grisur.
Murat Isaku ka lindur me fatin apo fatke-qësinë për të qenë shkrimtar. Dhe nëse do të gjendej në seancën hyjnore ku do të përcaktohej sërish fati i tij jetësor ai sërish do të zgjidhte këtë fat apo fatkeqësi. Letërsisë, sikurse thoshte, nuk iu përkushtua për ndonjë interes të veçantë. Ajo për të ishte nevoja e natës dhe e ditës, autobiografia e tij, fati i tij.
“Nëse e nis edhe njëherë letërsinë, sikurse kam vepruar 50 vjet më parë, besoj se do të mbe-tesha i njëjti: të jem i mirë ndaj njerëzve, dorën gjithmonë ta mbaj për miqësi të sinqertë dhe krahët e hapur për përqafime. Ndoshta nuk do të isha ky që jam me këtë përvojë jetësore, por shkrimtar detyrimisht”.
Na ndodhte shpesh të bisedonim për ne-vojën që na shtynte të shkruanim. Mos vallë shkrimi nuk është tjetër veçse tentim, apo mashtrim, që të mos e shohim hijen e vdekjes që na fanitet ku(r)do?
“Vet jeta është antitezë e vdekjes dhe përsë-ritje metabolike e fëmijërisë. Jeta është një fëmijëri në vazhdim, e cila duke dashur të mbetet e tillë, me kalimin e virgjërisë, ajo i kundërvihet fatit fatal të vdekjes. Këtë për fat të keq nuk arrin ta sundoj në betejën e gladiatoreske, por arrin ta zbusë egërsinë e saj. Në të gjitha veprat e shkrimtarëve botërorë, pa përjashtuar as timen, vdekja është kambanare e madhe në sfond, zëri i së cilës arrin kudo, por secili shtiret se ajo gjendet diku larg personit të tij… Parafytyrimi i vdekjes ndonjëherë është i bukur, sepse në këtë rast ndjehet nevoja e mobilizimit te vetvetes për t’i bërë rezistencë të keqes. Edhe vdekja është e bukur, sepse çdo dukuri që patjetër duhet të kryhet, ruan në vete hijen e bukurisë”, thoshte plaku me borsalinë, aristokrati që jetoi në një kohë prerjesh të mëdha historike dhe të papërshtatshme për shkrimtarinë. Por ai nuk iu nda letërsisë asnjëherë, sepse pa të nuk mundte dot.
Ai arriti mjeshtërisht të krijonte persona-zhet e letuar që rrugëtonin mes heshtjes dhe shpre-sës së thyer…
Tragjikja e personazhit në veprën e tij shn-dërrohej në një tragjikë masive ose në rezistencë kolektive, së paku duke lënë mesazhin e një qasjeje të këtillë. Këto për të ishin tema të vjetra të letër-sisë, të trajtuara nga Platoni, sidomos nga Aristo-teli.
“Tragjikja e personazhit në letërsi zgjon asociacione të shumta për t’i dalë zot trupit të vet, shokut, familjes, etnitetit… Në kuptimin filozofik të fjalës, tragjikja është pjesë përbërëse e të menduarit dhe gjykuarit, të meditimit të individit. Ajo shndërrohet në forcë shtytëse  për t’u kundërpozicionuar. Herë herë edhe tragjikja është e bukur sikur vdekja, sepse është pjesë përbërëse e imanencës sonë, që lëviz levën motorike të ecjes përpara, të harresës. Në veprën time pjesët më të bukura janë ato kur njeriu lufton kundër tragjikes vetanake dhe bie viktimë në këtë luftë, duke mos e konsideruar vetveten si të humbur”.
Ja kështu fliste shkrimtari.
Ishin me fat ata që patën rastin ta dëgjonin, të ishin pranë tij.
Fliste rrjedhshëm.
Dhe ishte ndryshe nga ne të tjerët… sepse qe gjithnjë në zonat influencuese të letërsisë.
Ata që nuk e patën këtë fat kanë mundësinë që të komunikojnë me librin, si formë tjetër ekzi-stence. Një nga këto libra është edhe ai që autori nuk arriti ta shihte të botuar – M’i këpusin kokrrat e frymës.
Salajdin SALIHU


KISHA VDEKUR DITËN E ENJTE
Është e vërtetë se më kanë marrë në qafë
kur kanë thënë se të shkruar e paskam pasur
të vdes mu ditën e enjte[1]
dhe prej meje kishin larë duart.
Ditën e premte u bë rrëmujë e madhe
në pazarin e pulave
kur u shfaqa si kukudhi në përrallë.
Ca ia mbathën me duart në kokë
nga trishtimi i kallur në sy,
të tjerët u bënë akull.
Ore, është ngritur lugat – thanë
pikërisht në atë dakik
kur ra kambana e madhe.
Megjithatë as në varreza nuk gjetën varr të ri,
as në defterin e hoxhës vijë të kuqe mbi emrin tim
as në shtylla lajm pikëllimi me fotografi…
Mirëpo, unë kisha vdekur ditën e enjte në kafene
me një “ndjesë pastë” ndër buzë të bujarëve.
mandej kishte ardhur shiu i dytë.
Vetëm tash e di
se të shkruar e paskam pasur të jetoj
deri ditën e enjte kur bie kambana e madhe
dhe vjen shiu i dytë


PJESHKA  E RRUGËS SIME
Bëj të hy në rrugën time me plot sende të moçme,
por nuk më mbajnë këmbët…
Vetëm qielli më rri i ngulur në sy.
Athua mu në këtë kodër çelte pjeshka e verës,
kur në vatër tym nxirrte cungu i djegur
e mes hirit thante këmbët një fëmijë…
Tash kur goja më mbushet me emra enësh të botta
Sikur be dua të bëj në magjen e nënës
dhe
më zini besë
nuk pranoj tjetër jetë në këtë gur të lëmit
përveç asaj që ecën zbathur…!
N’këtë orë të ditës,
mjeri unë  i mjeri
askush nuk më njeh në arën e babës!
Unë be u bëj se jam i Raifit të Isakut,
por ata vetëm frymë marrin…
Sa larg vetes së dikurshme tash po rri,
sa zgjoje për kaq stinë kanë ngritur bletët
dhe trarët e shtëpisë i ka ngrënë krimbi!
O Zot, e shurdhur sonte po më jepet boka
kur grushtet rrinë pa jetë
e koka lakohet si kalliri i pjekur…
Pjeshka zhvishet në diell si këngët e djepit,
si duket jerm m’i ka pirë sytë
Athua edhe ajo bën të hyjë në rrugën time ?!
Athua i merren mendtë në këmbë
dhe kërkon shtagë,
athua i qahet të zezës
pse akoma goja s’i ka ardhur…!?
Eh, kjo pjeshkë e rrugës sime,
kjo e mira e së mirës
kurrë mos u bëftë qyqe në një mal,
ata të barkut mos i qaftë…!


CIGARJA MË SHIKON SI MIK I PABESË
Edhe prushi s’më zë besë
sonte kur e hedh frymën si gurin mbi gur…
Vetëm cigarja m’shikon si mik i pabesë
dhe s’del se s’del
nga rruga e tymit të rëndë.
Edhe për këtë do ta them fjalën time
kur shiu i parë do të bjerë,
kur duart do të mbushen me helm
e sytë n’ëndërr do ta shohin ditën që vjen.
Sikur edhe vetja s’më zë besë
kur nata shpalohet mal e n’mal pëlhurë
e butë si një shpuzë…
M’ka mbetur një fjalë në fyt si kocë
po sikur ta nxjerr
druaj se në atë çast do të vdes
po sikur ta lë
do të shuhem shqim si cigarja vetë…
Dua dikush të më zërë besë
qoftë edhe cigarja në rrugën e tymit të rëndë
sepse ka diçka në jetë, që jeton vetëm me shpresë.

NJË MOT
Një mot kam mësuar si t’jetoj  me kujtimin tënd
Deri në fund të shekullit
Dhe si ta qortoj veten
Në rrugën që m’pret e para.
Mirëpo askush nuk më ka thënë atë mot
cila kokërr ma njeh zërin
dhe sa e zezë është biografia në shpinë të tymit…
Megjithatë ti s’ke punë të besosh në secilin gur,
të lësh pas dore të mirën e mikut
ta harrosh rrugën që t’pret e para…


KALEMI
S’t’u  nda kurrë nga jeta
edhe atëherë kur dikush gjuhën ta nxirrte pas shpine
sikur të villje ndër sofrat e huaja,
kalem i dashur,
biri im i vetëm
i vetëm në gjini të madhe…
Nuk e di si mbeta gjallë me shpirt e pa shpirt
Njësoj si druri me kurubë të qëruar
Besoja se pranë teje
or kalem, or lalë,
mund të vdisja vetëm një herë pa u tallë
një ditë apo një natë
dhe të kalbesha për fije me këmbët e shtrira në arë
pa kërkuar mbiemrat e varreve
të njerëzve të vegjël apo të mëdhenj…
Kam pritur si pret kulla të zotin në dit baroti
se një ditë do të faleshin shirat e motit
që shpirtin ta çelësh si çel shelgu ndër kroje
e të pohoje se ka rrugë të ngushta
kur tym të zi nxjerrin edhe lotët.
M’fal pse këtë s’ta besova
se vetëm zemra e poetit
kokën e mban lart ndër shtiza të mortit
edhe atëherë kur të tjerët gjuhën ia nxjerrin …




FLUTURA NË DHOMË
Sikur e mbush dhomën me ëndrrat e vetmisë së vet
duke u derdhur n’dritare si rrez’ e hënës mbi kep.
Arratisur është nëpër shi ku frika n’palcë e vret
ndaj jetën e kërkon n’dritare ku rrufeja e shkrep.
N’këtë çast bëhet shpirt i dytë n’shtratin tim plak,
ndaj fort e dua pse lodhjen ma ndjen deri në gjak.
Dashuruar është vetëm pas ankthit t’vet nën flatra
ndaj hidhet prej shiut në shi me këmbët n’bark…
Pa ndihmën e njerëzve ikën me cingje të gjata,
duke u lutur për një dorë jetë këtu dhe larg.
Dritarja kullon – unë shfletoj një libër – i qetë
kur ajo kërkon një copë vend për trupin e vet.
Sikur m’erdh n’çast se ma vodh zjarrin e
lashtë në ballë,
mbeta pa kohë lulesh ëndje, pa qumësht nëne në
barkun tim…
E pyeta – tash kur pleqëria po m’merr nëpër këmbë
si e marrë,
më thuaj vetëm ç’kujtim ruan jeta në gjuhën e vet!?
Ajo rrahu krahët me katër strofa si në poezi,
kuptova atëbotë se të dytë kishim një fat nëpër shi…



OXHAKU  PARA  DRITARES
Ç’do mëngjes në dritaren e jugut, n’rrugë që varfëron,
takohem me oxhakun e një shtëpie të vjetër,
i cili asnjëherë nuk e lëshon kokën mbi tjegull
që të marrë një sy gjumë,
një frymë,
të harrojë kush e marr nëpër gojë…
Rrimë kundruall njëri tjetrit dhe s’bëjmë zë,
të dytë ndoshta gëzojmë një botë:
unë plakem me dy duart mbi makinën e shkrimit
ai me supet midis zogjve të dimrit…
Nganjëherë më vjen t’i them njerëzisht:
Mirëmëngjesi, fqi i mirë,
or vëlla,
si gdhine  sot n’këtë ditë të bardhë?!
Por nuk e nguc,
sepse ka gjëra prej të cilave s’e merr përgjigjen dot.
Një ditë buldozerët e rrënuan shtëpinë,
i pari që ra me kokë përdhe qe fqinji i mirë.
Tash dritarja ime hedh vështrimin larg e larg…
Sheshi i qytetit është bërë më i madh
ku të rinjtë puthen e ndrydhen më këmbë…
Vetë kujtimi im i pangirë më gjumë
– njësoj si oxhaku me tym
 hesht me pleqërinë në krahë
duke fshirë me dorë avullin në xham
e duke i pëshpëritur atij: ”lamtumirë, or mik”


QORTIMI I VETES
Gjithë natën nuk më fteken emrat e sendeve
gjumi s’më zë në asnjë krah
sikur brenda shpirtit tim
të lëshojnë rrënjë shkurret e egra.
Dhe dridhem e dridhem pse jam kaq i marrë.
or njerëz,
pyetni në çeli lule pjeshka e lalë Sulës
t’u marrë erë luleve,
atëherë ndoshta bëj një sy gjumë.
Gjithë natën kërkoj emrat e shokëve,
një gulç ma zë frymën,
mandej qortoj veten
pse mbeta kaq i marrë…!

VJEDHJA FATALE
E sosa të të vjedh me të tëra hiret
me epshe, me inat, me ëndrra, me ngërçe
me tërë Zotin,
që me sytë e mi të të shoh kur zgjohesh,
kur buzët të lëshohen,
kur dritën e pi,
kur zhvishesh në pasqyrë.
Je ti një fjalë aq e bukur
që e ndezur rri në frymë…
Pasi të të vjedh me të dy duart
në etjen tënde do të fshihem si hajn
që të mbetem gjallë.


NJERIU PA BIOGRAFI
Atëbotë veten e pandehu në gjunjë duke vjellë vrer
tek BREGU I FATIT.
Ishte  hequr pa qirinj në dorë,
pa mend në kokë…
përmbys kishte rënë plot lebeti tek  tokë e babait,
pse nënëlokes kur i vdiq
nuk ia nxori ferrat prej këmbëve,
se pyeti të ndjerën
në ia kishte lënduar barkun me pëllëmba
kur lindi si kërthi,
pse mbeti pa i thënë MËMËDHEUT se e kishte
dashur shumëfish
mbi veten
prej njërit kufi në tjetrin
dhe kurrë nuk ishte lodhur prej tij…
Tash kur po rigonte ky shi i rrafshët
dhe përvëlohej në buzët e tij
me fulltaka të pëlcitura si guaskat e detit,
me një gur në zemër
vetëm falje kërkonte pse s’mori një kokërr kripë
në sofrën tuaj,
pse s’e ndau me ju përgjysmë, më katërsh,
pse nuk ju dha një varg kujtim
ta varnit në qafë ditën e Shëngjergjit si lulen e malit
e të pohonit zëshëm se me shpirt
dikush ju kishte dashur
– ju kishte dashur  ai njeri i vogël e i thatë
Si një dru stufe – ai pa biografi…
Kishte pasur i gjori
një palë duar të lidhura me pranga,
fytyrën plot pështymë plocësh,
shpinën lëvruar me plagë nga telat gjemborë,
dy këmbë me hallka zinxhirësh…
Ishin këto reliktet e biblës së njëfarë shteti të tij…
Ndoshta ëndërr më ëndërr
si nëpër shkallët e një teatri antik
sërish do të kthehet tek ju
me pranga, me hallka, me tela gjemborë,
me pështymë
do të kthehet në atë vend ku në zjarr kishte lexuar
fjalën e perëndisë
Atëherë mos e merrni për të huaj,
po thonie të vërtetën,vetëm të vërtetën,
se mu në pikëqendrën e fushëbetejës
burrërisht kishte vdekur në këmbë,
duke hëngër plumbat me dhëmbë…
Mandej lania fytyrën tek kroi i fshatit,
lidhnia plagët mirë e mirë me rrobat e shtatit
dhe hidhni përpara hapit do tulla të pjekura në prush
sa për t’i vënë thembrat
sa për tëharrë një frymë me gjoks të pihatur
së shpejti do të ikë me kalë të bardhë
Doruntinën për nuse ta marrë…
Tashmë kur ishte plakur bashkë me zogjtë e malit
aq fort sa s’e shihte as koliben e babazotit
ndër luadhe,
duke u dridhur thërriste emër për emër
njerëzit e mirë të fisit
– ata me fanarë dhe flamuj ndër kryengritje
  t’ua puthte sytë e ballit.
Lutej me dy pëllëmbë kah kupa e qiellit,
që ju të keni liri sa ujtë e detit,
që të keni ATDHE të dashur pa mëkate…
Megjithatë mos e kërkoni më për jetë të jetës,
as në rrugë, as ndër fqinj
askund, kurrkund…!
Lani duart sot e mot prej tij, o njerëz, o vëllezër,
o miq,
kaq e pat njeriu i vogël e i thatë si një dru stufe
ai pa biografi, kaq o zot, kaq, o Perëndi!
Kaq,
ndjesë!


PENG I DHEMBËS
Tash as mendja më ikën të shoh ndonjë ëndërr,
të kap ndonjë shpresë,
dridhjen e buzëve nga mishi ta hedh
e tymin e kokës në rrugë ta qes…!
Vetëm peng i yt jam bërë, oj dhembë,
oj jeta ime në të majtë dhe në të djathtë!
As që dua mëshirë t’kërkoj për ndonjë mëkat,
për ndonjë zjarr…
jo, jo kjo tash është mjaft
Kur edhe shpirti qet me shqelm si hajn…
“U i biri i Bdek”… para vetes bie në gjunjë,
kaq!
Shuani qirinjtë…!


PLAKU AFËR ZOTIT
Një plak heq shpirt afër Zotit
dhe miqtë i kujton një nga një
si drunj  shelgjesh në varg buzë përroit të gjatë…
Të dy duart i shtrin në kokë
është ky ankim
kur avujt ia zënë sytë si një vrundull tym.
I shtiret një udhë e vjetër me shi – orëliga,
atëbotë i dukej se e thërret dikush jashtë,
fjala ia mbush gojën
mandej kullon si rrëshirë – pa ankth.
Aty mbrëmja vjen e thatë
njësoj si gryka e tij plot shpuzë,
njësoj si sytë e tij pa gjak…


ZËNKA ME QENIN HAJN
I turret pikënatës me të katërtat në gjoks
si t’ia zhvaste brinjtë me inat,
si ta hidhje hallkën e zinxhirit nga qafa
dhe orës    qytetit t’i thoshë:
Ndal, se edhe unë kam në këtë botë
një grimcë nafakë…!
– Kthema këpucën e këmbës së djathtë,
 or hajn e biri hajnit! – i flas me zap
Unë i kësaj ane
Që Zotin e kam njohur që në gjirin e nënës.
Ai shputat i shtrëngon  në rrënjët e plepit të gjatë
dhe zihet qençe si dy fqinjë në një gardh.
– Kthema sa më parë, dëgjova, rrugaç!
me një të katërtën e pensionit i kam marrë.
Çon jetën aty në lidhëset kular
edhe një merimangë e lashtë,
që s’e  shporri dot asnjë brushë,
asnjë qortim i mbrapsht,
sikur gjyshes së vet t’i ketë ngjarë…
Qeni  hidhet e përdridhet me afsh
si t’i hynte në dhomë  nuses me duvak.
Mandej këpucën bashkë me hënën në gojë i rras,
duke thënë me ham – hame të thatë:
-Edhe unë kam tagër të bëhem Zot në një çast
para se dikush në kontejner të më rrasë,
tërë jetën bërë e ka, nën hijen e shtagës mbi rrashtë
dhe në hallkat e zinxhirëve në qafë,
s’duron më shpirti i ngratë,
sepse edhe mua më ka lindur një nënë e një atë!
Bëj në drejtim të tij këpucën ta marr
Ndaj as e pështy as e shaj,
Atëbotë më duket se në jetë
Shumëçka ka mbetur e paqartë…!
Qeni ia mori një valsi solo plot lezet
Mandej fap u ndal.
Me tërë dhëmbët në noçkë m’u qas
Duke më thënë qençe:
 – Për të katër këmbët e mia mjafton
kjo e mbrapësht,
M’është mësuar  syri sall t’i shoh,
por jo edhe t’i mbath,
shkon ajo hem në të majtë, hem në të djathtë.
 – The qafën, zagar!
Dola në shesh ta ndesh yllin e fatit,
ti ma rrëmbeve fap
edhe merimangën duke mos e lënë rehat,
që bëhet lëmç jetës për t’i bënë ballë…
pra, dy shpirtra merr në qafë…!
Që të treve tash na takon nga një yll,
kur hëna në kodër mbushet me frymë…
Që të tretë kemi vetëm një LUTJE në këtë anë
 -të mbetemi gjallë,
sepse çdokush ka një yll
dhe nga një kontejner…!
Ai me angullimë sikur më tha:
-Vërte nënat i kemi dy palë,
por fatet mbeten ata ç’kanë qenë
njësoj si shputa ime e majtë
si këpuca jote e djathtë…!
Edhe ylli im kishte fatin e qenit,
të këpucës së djathtë
dhe të merimangës së lashtë
ngase në një copë botë flemë qafë për qafë….


BUROJA E PUNËS
E zgjuar rri prore buzë dritares
në këtë vend  nderi
me një kalë tatratatesh në shpinë:
lapsa, syze, fjalorë, makinë shkrimi, abazhur
e çka jo tjetër…
Banor i saj jam edhe vetë
– një gjësend i moçëm që lidh dy shekuj…
Sipas moshës, fill pas meje, vjen makina e shkrimit,
që pesëdhjetë vjet ma rrah gishtin në ballë,
duke m,qortuar me vrer:
“T’ka mbetur vetëm të vjellësh vrer, or qorr”…
Mirëpo tash edhe këtë llapazane
duhet ta ndërroj me një kompjuter
dhe të falem me ngucakeqen e marrë…
Kësisoj po vras mendjen,
kur rrezet e dritës vetullat m’i mbushin….
Megjithatë, kësaj radhe dyshoj se mos po bëj
ndonjë mëkat…
Dy duart sërish i hudh mbi makinë
ii ta marr ngrykë një shok të mirë…
Mandej dridhem nga pendimi
dhe i flas jerm si t’i këndoj dua:
vetëm ty të kushtohem – fqiu im i parë
vetëm ti m’i mban sytë hapur deri në mesnatë
dhe lodhjen ma njeh kur qan në ballë…
Kthehem tek makina e shkrimit mbi buro,
sepse sendeve të reja nuk u zë besë,
kësaj, ia njoh grupin e gjakut,
zërin dhe tabiatet
e di si merr frymë…
Gjest qesharak apo jo,
kur mbi buro pranoj vetëm mbeturina,
që e njohin jetën nga bishti
bashkë me dialektin e vjetër…
E udhës është, njerëz të mirë,
të kuvendoj edhe ca me makinën e shkrimit
si bie fjala
për fletët e bardha…
vetëm ato dua t’i shoh ëndërr
edhe atëherë kur i merr zjarri
vetëm ato i pres si argëto tek gardhi,
vetëm ato i njoh si varrezat  e të  parëve…
Mirëfilli e di se ma duan pleqërinë
si zogu krahët në hapësirë
se shpirtin ma mbajnë në dorë
edhe pse tash asgjë s’u fali,
asgjë s’më marrin
Ruajnë ndoshta vetëm dridhjet e duarve  në kokë…!


I PËRGJUMURI
Kishte zë të djegur nën këtë qiell veror
të fushës së shkrirë në një stuhi të artë
nga gruri i pjekur…
Përmes saj si një shpend me gjysmë krahu të prerë
hiqej i përgjumur në rrugën me drunj të vjetër.
Ta çonte mallin e mullirit me ujë të pakët
apo të një arkivoli,
që mbartet në krahë prej xhematit.
Retë sikur bënin kryq në ditën e shpirtrave
dhe iknin si prej ndonjë sëmundje ngjitëse
rreth zenitit.
Vetëm një dru i shtrirë në megje
atij ia kishte këputur kryet
pse akoma nuk ishte zgjuar  si duhet.
Edhe më tej bregun e hante i përgjumur,
duke lënë matanë krahëve kohën pa çehre
dhe tiktakun e orës së xhepit.
Kushedi pse zërin e kishte të djegur?!


ZONJUSHA NËPËR SHI
Dy drunj flinin bashkë në këtë shi të parë
të ngjitur njëri me tjetrin bel e shalë,
të dytë merrnin një frymë
dhe hynin në një  shtat…
Atypari zbathur hiqej kjo zonjushë,
që me ëndrra i mbushte gjinjtë
thellë nën këmishën e bardhë,
priste dikujt t’i hidhej n’përqafim sa më parë
si druri i dytë drurit të parë…

SHTËPIA E RE
Tërë fëmijët fare u këputëm,
Duke pritur në shkallë,
Që të dilte nëna me bukët për argatë…
Ndërtojmë shtëpi të re me plitharë dhe baltë,
Dritaret do t’ia zëmë me letër të bardhë
Kurse për dyer thurim trina në hajat.
S’kemi nevojë për llambë e fitilaq
Sepse drita vjen fushës me florinj në qafë,
Kurse hëna zbret malit me yjet në krahë
Janë këta miq të vjetër mend sa mbamë,
Tash në ndihmë do vijnë si argatë…


MOS E MALLKO MOTIN
S’gabohesh fare pse dëshiron të jetosh tërë ditën,
mëkat bën vetëm atëherë kur s’e njeh veten.
Kur nuk i shkon asaj me lule në ditëlindje,
kur i merr në qafë gjërat që me ty mbushin jetën…
Atëherë kur hallet rëndojnë më tepër
sesa mund t’i mbartësh në krah
si pus me ujë
mos mallko pse ke lindur në një mot të ligë,
pse veten e pandeh si kopil,
pse tërë natën rri pa gjumë
pse do shumë e arrin pak…
Psalmet tua janë ato,
që t’i kanë mësuar të tjerët,
rruga jote është ajo
që e mbush me shpirt
si stufën me dru të thata…
S’gabohesh, besa, nëse jeton një ditë më shumë,
sepse pasi të mbyllesh në sirtar
një apo dy dit do të qajnë
dhe… kaq, kaq…!
Jeta është një lutje,
që askush në fund s’i ka dalë.
T’i pranoje vetëm si të këtillë… në daç.


DITËN QË S’E DOJA
Pikërisht ajo ditë që s’e doja
më mori në qafë,
s’më la t’i shkul gjembat
në trupin tim
kur në lojë lidhin shtat
s’më la t’i mbledh ëndrrat në shuplakë…
Nepc qeni kishte pasur ajo ditë
një ditë e përdalë
që shkoi të mbushë ujë në fshat
me dy buçela në krahë…
Ia bëra me dorë hapin ta ndalë
por as më pa më – as e pashë
si nuk shihen dy pika uji në rrasht…
Gabova pse linda atë ditë, që merr në qafë,
e fshihet pas shpine si shtogu në mal…
As shiun më përdore s’do t’ia marr,
se n’gjini s’do t’i shkel
si mysafir i rrallë…
Gabova pse nuk e zgjodha një ditë më të bardhë…


MBYLLI SYTË
Mbylli sytë
dhe merre si në ëndërr
kulmin e kolibes me kashtë.
Eh, sa i dashur është ai mall,
ai çast
kur mendon se edhe shpirti yt ngrihet lart
si flakë,
por ti mbetesh vetëm një zjarr barinjsh në kullotë
fill vetëm
si ajo kolibja me kashtë…


KUR MBETESH NË BREG
Ti mbetesh në breg
dhe gjumi më tej nuk të zë…
Ngadalë fletë më fletë çel shpirtin
dhe lexon diçka,
që të çmend
Atëherë vetëm mëkon
fare i lodhur në atë breg…


PËRFITIM I NJË ËNDRRE
Kur n’qepallë t’digjet një fill mendimi –
ti bëhesh flakë
Është mëkat apo pendesë
– s’di ç’të them n’këtë çast…
Vetëm në një drithmë që fsheh
– si zogu klithmën n’plagë
Sikur dëshiron t’mbetet sall përftim
i një ëndrre të lasht’…


MËKATET
S’di ç’mëkat bëra kur të humba shqim,
kur n’këmbë u thava e dy fjalë s’t’i thashë…
Ndoshta qe një kokërr ëndërr që u kalb
në hidhërim,
ndoshta pse përveç shpirtit asgjë s’të dhashë…
Tash hiqem rrugëve pa fuqi, pa ankth, pa mall,
të gjitha kujtimet bien si një kambanë e kot…
Unë zgjohem me mjekër të bardhë,
ti tretesh në varg,
ndoshta edhe ky është një mëkat që s’ndreqet dot…!


NATA TJETËR
Prit ta thërras natën tjetër
që duhet të jetë e gjallë…
Do të vijë nëpër qiellin e vjetër
askush pa e vjedhur si barkën në zall.


NJË ÇAST I TRISHTË
Ngrine një çast pa zë
si një unazë martese në gisht
– çast i trishtë…!
T’i këputa kokrrat e rënkimeve ndër buzë
kur  t’shkonte  një drithmë e ëmbël nëpër gji…
Pse atëherë kridhesha brenda një flake
si ndër valët e gjolit kur i shkund era…?
pse më sosej fryma,
se t’i pija sendet e shtatit!?
Për çudi  mbete e tëra plot magji
me një palë sy që kullonin huti…
Mbi bar harruam një palë rrecka të ngrohta
të hedhura pa kujdesin tonë…
Më pas thërrita si një i çmendur,
Qeshë apo s’qeshë në shkretëtirë, s’e di…
Në atë vend tash rritet një bar i egër
  thahet tinës nëpër damarë.


LAVRAT E  FUSHËS
Prej bregut kundroj lavrat e fushës
të zeza si një bukë e djegur në çertep…
përmbi to avulli lëpihet dhe derdhet tej
njësoj si mendimet e fëmijëve kur dalin n’shesh.
Prej fushës më pas kthehen lavërtarët
me mustaqe të lodhura nën hundë
tok me ta shkojnë edhe pëllumbat
me qafat e kredhura në jakat e puplave
duke larë këmbët në erën e mbrëmjes vonë.


MINAREJA
Midis sfondit ku zogjtë mblidhen në shtrojerë,
veshë si me myshk deri në qafë
derdhet minareja në kupë – formë kambane e çelë
duke lëpirë me lajka shputat e reve…
Me një palë shkallë të ngushta,
që përdridhen gjarpër në mug të trashë
dhe kokën lart mbi etjet tona
lakmon me shpirtin  e vet
gojëdhënën për të shenjtit,
njësoj si punë e një anije të fundosur
sipërfaqen e diellit.
Desha t’i ndërroj nja dy fjalë,
por assesi të kuptohemi,
sepse ajo rend lart drejt zotit
kurse unë mbetem këtu tek robi.
-Jemi dy trasa me veten tonë në krahë…


NË PËRVJETORIN E VDEKJES SË VËLLAIT
Atëherë kur u nise për në qiell,
një gur i madh më ra në ballë
por ti nuk bëre zë
si ta kishe harruar gjuhën e nënës.
Lart hëna çante veshur me re,
kur për ty kërkoja vetëm shpirt… shpirt… shpirt…
Harrove frymën në qepallë
ku thahej si dru ajo e shkreta natë.
Të veshi një shpuzë e ftohtë
E sytë i mbylle – “fap”…
mandej…mandej mbi ty rashë
Dhe s’di, s’di më çka thashë…!


MËNGJESI NË RRUGËN TIME
Mëngjesi në rrugën time gdhin atëherë
kur gratë çarçafët i shkundin
buzë parkut të fëmijëve.
Të duket se edhe zogjtë i plapurisin krahët
se edhe bleta gumëzhin në zgjoje
kur çuçuritën gratë.
Sa ora majat e barit veshin pizhamet
Tërë parku mbulohet me rroba të palara…
Lind ky mëngjes me çarçafë të ngrohtë
në të cilët natën ziejnë epshet
e bashkëshortëve
qofshin ata me fat, apo…
Drita mandej i lanë  mëkatet
si në kroin e fshatit…
Edhe të nesërmen avaz i njëjtë
buzë parkut të fëmijëve.
çarçafët dhe fluturat bëjnë xhiro.
Lagja bëhet gati edhe për një ditë tjetër
me njolla nëpër rrobat e shtratit
si fara hithrash të egër…
ËNDRRA E FUSHËS
Ti kuvendon me veten
njësoj si në kohën e gurit,
si zogu në pupla…
Fushës me drithëra ia fal frymën
si një ëndërr që mbushet tok me hënën.
S’e fal atëbotë vetëm jetën tënde
– këtë kalli që e pjekin erërat…


MASHNA[2]  E GJYSHIT
Në krah të përroit tek dy blina
zemra për mashnën e gjyshit kurrë nuk u tha…
E ngriti një mot me lloç e me trina
dhe bashkë me arën kujtim na e la.
Më pas erërat kulmin ia derdhën në hava
do barinj barkun ia hudhën në zjarr
megjithatë nga shpirti kurrë nuk na u nda…
Ruante ajo në kokrrën e jetës së vet
duart tona, gjeth e flet…
Tash pritnim të kthehej ai nga qielli mbi gurinë
me një thes miell në shpinë…
S’DI    RROJ  DY  HERË
Kur lëshoj duart në shtat them se dikush
m’paska vra
N’mëshikës të kësaj nate kaq të thatë…
Së largu shoh një dru që mbahet pa asnjë krah,
atëherë edhe sytë shkojnë t’barisin në shpat…
Diçka po ndodh me mua si me buklën në ranë
Një djersë del e kripur kur shpirti dhemb
e dhemb…
Tash mund të thoni gjithçka për mua
goja që mban,
mund t’më bini në qafë kur s’di çka t’ju them.
I ndezur m’rri një si kandili n’verë,
por s’ia prek fatin kur sytë ngjiten në kodër.
Ndoshta i duhem dikujt – por s’di t’rroj dy herë,
S’di n’cilën kokërr merr frymë jeta – që të kokërr…!


PËRMBAJTJA
Në vend të parathënies………………………………………………..5
Kisha vdekur ditën e enjte…………………………………………14
Pjeshka  e rrugës sime………………………………………………..16
Cigarja më shikon si mik i pabesë………………………………18
Një mot……………………………………………………………………..19
Kalemi……………………………………………………………………….20
Flutura në dhomë………………………………………………………22
Oxhaku  para  dritares……………………………………………….24
Qortimi i vetes…………………………………………………………..26
Vjedhja fatale…………………………………………………………….27
Njeriu pa biografi………………………………………………………28
Peng i dhembjes………………………………………………………..32
Plaku afër zotit…………………………………………………………..33
Zënka me qenin hajn…………………………………………………34
Buroja e punës…………………………………………………………..37
I përgjumuri………………………………………………………………40
Zonjusha nëpër shi……………………………………………………41
Shtëpia e re………………………………………………………………..42
Mos e mallko motin…………………………………………………..43
Ditën që s’e doja………………………………………………………..45
Mbylli sytë…………………………………………………………………46
Kur mbetesh në breg…………………………………………………47
Përfitim i një ëndrre…………………………………………………..48
Mëkatet……………………………………………………………………..49
Nata tjetër………………………………………………………………….50
Një çast i trishtë…………………………………………………………51
Lavrat e  fushës………………………………………………………….52
Minareja…………………………………………………………………….53
Në përvjetorin e vdekjes së vëllait……………………………..54
Mëngjesi në rrugën time…………………………………………….55
Ëndrra e fushës………………………………………………………….56
Mashna e gjyshit………………………………………………………..57
S’di    rroj  dy  herë…………………………………………………58


[1] Në dorëshkrim ka qenë “të vdes mu ditën e diel”, që është korrigjuar nga poeti, i cili ka shkuar në amshim ditën e enjte.
[2] Kasollë për ruajtjen e zahiresë së kafshëve

Posted August 24, 2011 by radiofocus in Libra

Oferte speciale me rastin e festes se Bajramit dhe fillimit te vitit shkollor   Leave a comment

Sun and Stars me rastin e festës së Bajramit dhe fillimit të vitit të ri shkollor,çdo ditë do të shpërblejë një familje me veshmbathje në vlerë prej 2000 denarësh.Klientët e rastit do të shpërblehen çdo ditë duke filluar nga data 22 gusht deri më 1 shtator.Ju urojmë festën dhe vit të mbarë shkollor nga San and Stars te kati i dytë sipër Veros në Tetovë dhe përballë spitalit të Tetovës!

Posted August 24, 2011 by radiofocus in Publicitet

Fjolla Morina singël në pushime   Leave a comment



Këngëtarja Fjolla Morina ka zgjedhur pishinat për të kaluar temperaturat e larta që po kalojnë vendet ballkanike, përfshirë këtu Shqipërinë dhe Kosovën. Siç mësojmë, këngëtarja është shumë e angazhuar këtë sezonë me koncerte dhe mbrëmje, kështu që pishinat kanë ngelur si vendi alternativ për të kaluar disa momente relaksi, larg stresit dhe punës. Kjo verë ka qenë shumë e frytshme për këngëtaren pasi. përveç angazhimeve, ajo ka publikuar deri më tani dy videoklipe të nxehta, dhe është në përgatitje të disa surprizave të reja, që pa dyshim do të jenë këngë të bukura e ritmike që shkojnë shumë në stilin e Fjollës. Paparaci ka zënë këngëtaren, duke shijuar ujin e duke u freskuar në një pishinë këto ditë, por për fat të keq ka qenë e vetme dhe e pashoqëruar nga askush. Kur sheh këngëtaren në bikini me një fizik për t’u pasur lakmi, menjëherë të shkon mendja se si përkrah kësaj bukuroshe të mos ketë asnjë mashkull… Të paktën deri më tani nuk ka publikuar ndonjë lidhje të re, edhe pse mendojmë që propozime ka në numër të madh. bl.

Posted August 24, 2011 by radiofocus in Vip

14 kodikë të Shqipërisë, përherë të parë në Bullgari   Leave a comment

Ulkie Sinani

Arkivi Qendror Shtetëror do të marrë pjesë në ekspozitën “Bizanti pa Kufij” me 14 nga kodikët e Fondit 488, që paraqiten të plotë, të periudhës bizantine dhe fundbizantine (shek. IX – XIV), dhe me nga 1 fragment prej kodikëve të Beratit nr. 1 dhe nr. 2 (Beratinus Purpureus shek. VI dhe Aureus Anthimi, mesi i shek. IX)

Një sasi prej 14 kodikësh nga fondi 488 i Arkivit Qendror Shtetëror, do të jenë pjesë e ekspozitës “Shkëlqimi i Bizantit” që zhvillohet në Kongresin e 22-të Ndërkombëtar të Studimeve Bizantine në Sofje të Bullgarisë. Ekspozita është çelur të dielën dhe do të rrijë e hapur deri më datë 27 gusht. Ditën e parë përurohet ekspozita “Bizanti pa kufij”, ku paraqiten një numër i madh librash mesjetarë nga Ballkani dhe Europa. Pjesë e ekspozitës është Arkivi Qendror Shtetëror me 14 nga kodikët e Fondit 488, që paraqiten të plotë, të periudhës bizantine dhe fund-bizantine (shek. IX – XIV), dhe me nga 1 fragment prej kodikëve të Beratit nr. 1 dhe nr. 2 (Beratinus Purpureus shek. VI, dhe Aureus Anthimi, mesi i shek. IX). Vijnë për t’u ekspozuar edhe dorëshkrime greke të dekoruara nga Ballkani, shek. VI-XVIII”, ku do të paraqiten dorëshkrimet më të veçantë dhe më përfaqësues të periudhës bizantine dhe pasbizantine. Gjithashtu vende të ndryshme të Europës, si Rusia, Maqedonia, Serbia dhe Greqia etj., do të kontribuojnë në këtë ekspozitë me dorëshkrime të kësaj periudhe. Ajo që është për t’u shënuar ka të bëjë me faktin se është hera e parë ku një sasi e tillë materialesh të fondit 488 dalin nga Arkivi për t’u ekspozuar në një ekspozitë ndërkombëtare. Pas polemikave në lidhje me faktin nëse është e ligjshme apo jo që Kodikët të dalin jashtë Shqipërisë, u vendos nga AQSH-ja që 14 kodikët të ekspozohen, pasi sipas Drejtoreshës së Arkivit, Nevila Nika, nuk ka asnjë shkelje ligji që mund të cenonte daljen e tyre. Ndërsa rasti i parë i ekspozimit të kodikëve të F. 488 ishte viti 2000, ku një nga volumet e Kodikut të Beratit nr.1 (Beratinus Purpures) mori pjesë në ekspozitën “Gli Evangeli dei Popoli”, hapur në Vatikan me rastin e 2000-vjetorit të krishterimit. Kjo ishte hera e parë që një kodik i Fondit 488 dilte nga Shqipëria për arsye ekspozimi. Tej qëllimeve të përgjithshme të ekspozitës, është një rast i rrallë në historinë e shkencës së paleografisë, ku studiues nga e gjithë bota, të mbledhur në kongres, do të kenë mundësinë të shohin nga afër mbi 120 dorëshkrime të periudhës bizantine. Për herë të parë, ndoshta që nga koha e prodhimit të tyre, do të vendosen pranë e pranë Kodiku i Beratit nr. 2 (Aureus Anthimi) dhe Petropolitanus Graecus 53 i bibliotekës së Shën Petërburgut në Rusi. Janë dy Kodikët për të cilët studiuesit e paleografisë thonë se kanë shumë ngjasime më njëri-tjetrin. Një ndër studiuesit e këtyre kodikëve është edhe autorja Aksinja Xhurova, profesoreshë e Universitetit të Sofjes, sllavologe dhe historiane e artit, e cila botoi në fillim të korrikut në Sofje, botimin shkencor” Kodikët e Shqipërisë” të Arkivit Qendror Shtetëror. Ndryshe, botimi i profesoreshës Xhurova është pjesë e përgatitjeve të vetë autores për Kongresin e 22-të Ndërkombëtar të Studimeve Bizantine që tashmë është çelur. Sipas arkivistit Sokol Cunga, “kodikët bizantinë të F 488 janë një shembull i shkëlqyer i zhvillimit të traditës së librit në Bizant, me gjithë ndonjë ndikim perëndimor. Mbi të gjitha vendosja e tekstit në fletë (mise en page) dhe dekoret janë elementët kryesore që tregojnë se këta kodikë kanë ruajtur besnikërisht në morfologjinë e tyre format tradicionale të prodhimit të librit”.

Posted August 24, 2011 by radiofocus in Kulturë