Archive for the ‘Kulturë’ Category

14 kodikë të Shqipërisë, përherë të parë në Bullgari   Leave a comment

Ulkie Sinani

Arkivi Qendror Shtetëror do të marrë pjesë në ekspozitën “Bizanti pa Kufij” me 14 nga kodikët e Fondit 488, që paraqiten të plotë, të periudhës bizantine dhe fundbizantine (shek. IX – XIV), dhe me nga 1 fragment prej kodikëve të Beratit nr. 1 dhe nr. 2 (Beratinus Purpureus shek. VI dhe Aureus Anthimi, mesi i shek. IX)

Një sasi prej 14 kodikësh nga fondi 488 i Arkivit Qendror Shtetëror, do të jenë pjesë e ekspozitës “Shkëlqimi i Bizantit” që zhvillohet në Kongresin e 22-të Ndërkombëtar të Studimeve Bizantine në Sofje të Bullgarisë. Ekspozita është çelur të dielën dhe do të rrijë e hapur deri më datë 27 gusht. Ditën e parë përurohet ekspozita “Bizanti pa kufij”, ku paraqiten një numër i madh librash mesjetarë nga Ballkani dhe Europa. Pjesë e ekspozitës është Arkivi Qendror Shtetëror me 14 nga kodikët e Fondit 488, që paraqiten të plotë, të periudhës bizantine dhe fund-bizantine (shek. IX – XIV), dhe me nga 1 fragment prej kodikëve të Beratit nr. 1 dhe nr. 2 (Beratinus Purpureus shek. VI, dhe Aureus Anthimi, mesi i shek. IX). Vijnë për t’u ekspozuar edhe dorëshkrime greke të dekoruara nga Ballkani, shek. VI-XVIII”, ku do të paraqiten dorëshkrimet më të veçantë dhe më përfaqësues të periudhës bizantine dhe pasbizantine. Gjithashtu vende të ndryshme të Europës, si Rusia, Maqedonia, Serbia dhe Greqia etj., do të kontribuojnë në këtë ekspozitë me dorëshkrime të kësaj periudhe. Ajo që është për t’u shënuar ka të bëjë me faktin se është hera e parë ku një sasi e tillë materialesh të fondit 488 dalin nga Arkivi për t’u ekspozuar në një ekspozitë ndërkombëtare. Pas polemikave në lidhje me faktin nëse është e ligjshme apo jo që Kodikët të dalin jashtë Shqipërisë, u vendos nga AQSH-ja që 14 kodikët të ekspozohen, pasi sipas Drejtoreshës së Arkivit, Nevila Nika, nuk ka asnjë shkelje ligji që mund të cenonte daljen e tyre. Ndërsa rasti i parë i ekspozimit të kodikëve të F. 488 ishte viti 2000, ku një nga volumet e Kodikut të Beratit nr.1 (Beratinus Purpures) mori pjesë në ekspozitën “Gli Evangeli dei Popoli”, hapur në Vatikan me rastin e 2000-vjetorit të krishterimit. Kjo ishte hera e parë që një kodik i Fondit 488 dilte nga Shqipëria për arsye ekspozimi. Tej qëllimeve të përgjithshme të ekspozitës, është një rast i rrallë në historinë e shkencës së paleografisë, ku studiues nga e gjithë bota, të mbledhur në kongres, do të kenë mundësinë të shohin nga afër mbi 120 dorëshkrime të periudhës bizantine. Për herë të parë, ndoshta që nga koha e prodhimit të tyre, do të vendosen pranë e pranë Kodiku i Beratit nr. 2 (Aureus Anthimi) dhe Petropolitanus Graecus 53 i bibliotekës së Shën Petërburgut në Rusi. Janë dy Kodikët për të cilët studiuesit e paleografisë thonë se kanë shumë ngjasime më njëri-tjetrin. Një ndër studiuesit e këtyre kodikëve është edhe autorja Aksinja Xhurova, profesoreshë e Universitetit të Sofjes, sllavologe dhe historiane e artit, e cila botoi në fillim të korrikut në Sofje, botimin shkencor” Kodikët e Shqipërisë” të Arkivit Qendror Shtetëror. Ndryshe, botimi i profesoreshës Xhurova është pjesë e përgatitjeve të vetë autores për Kongresin e 22-të Ndërkombëtar të Studimeve Bizantine që tashmë është çelur. Sipas arkivistit Sokol Cunga, “kodikët bizantinë të F 488 janë një shembull i shkëlqyer i zhvillimit të traditës së librit në Bizant, me gjithë ndonjë ndikim perëndimor. Mbi të gjitha vendosja e tekstit në fletë (mise en page) dhe dekoret janë elementët kryesore që tregojnë se këta kodikë kanë ruajtur besnikërisht në morfologjinë e tyre format tradicionale të prodhimit të librit”.

Posted August 24, 2011 by radiofocus in Kulturë