Një “erë” e re në politikën e jashtme të SHBA   Leave a comment

Fareed Zakaria, CNN

Fareed Zakaria

Në mars, shumë neokonservatorë në Uashington ishin kritikues në lidhje me mënyrën me të cilën po e përballonte Presidenti Obama situatën dhe ndërhyrjen në Libi. Ata argumentonin se po bënte shumë pak dhe po vepronte shumë vonë-qasja e tij ishte më e shumanshme sesa duhej dhe njëkohësisht mungonte kohezioni. Ata vazhdimisht e kritikuan Presidentin Obama për “udhëheqjen nga prapa”, në qoftë se do të përdorim fjalët e një këshilltari anonim të Shtëpisë së Bardhë.
Por tani që këta kritikë përballen me suksesin e operacionit në Libi, ata po “ndryshojnë melodi” dhe po “kërkojnë atësinë” e operacionit. Madje argumentojnë se nëse këshilla e tyre do ishte ndjekur pikë për pikë, ndërhyrja në Libi do kishte sjellë efekte më të shpejta dhe më të suksesshme. Por ndërhyrja në Libi ishte ekzaktësisht kaq e saktë,  pikërisht prej faktit se nuk ndoqi modelin e zakonshëm dhe tradicional të ndërhyrjeve amerikane. Në të vërtetë shënon lancimin e një “ere” të re në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara vendosën të ndërhynin në Libi vetëm nëse do të ishin pjekur disa kushte:
1)Një grup lokal që dëshironte të luftonte dhe të vdiste për ndryshimet; me fjalë të tjera, një “kapacitet indigjen”
2)Njohja e legjitimitetit lokal si formë e kërkesës për ndërhyrje nga ana e Lidhjes Arabe
3)Legjitimitet ndërkombëtare bazuar mbi Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1973
4)Ndarje e shëndetshme barre me Anglinë dhe me Francën, duke saktësuar nivelin e përfshirjes dhe detajimin e angazhimit që do të ofronin
Vetëm kur të gjitha këto kushte u plotësuan, administrata “Obama” vendosi të luajë një rol kryesor mbështetës në operacionin në Libi
Është e rëndësishme të specifikojmë se megjithëse ishte “një rol mbështetës”, Shtetet e Bashkuara ishin të domosdoshme për mbarëvajtjen e operacionit. Askush tjetër nuk do kishte mundur të eliminonte mbrojtjen ajrore të Gadafit, dhe praktikisht gjithë forcën e tij ajrore, në vetëm tri ditë. Pa Amerikën, operacioni në Libi nuk do të mund të vihej në jetë. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara ishin “mbështetëse” në një sens tjetër; pas një goditjeje fillestare, SHBA kaloi në prapaskenë, duke u  kërkuar partnerëve të NATO-s të bënin punën e rëndë. Pas kësaj, Shtetet e Bashkuara ndërhynë vetëm kur ndien nevojën e tyre. E gjithë kjo na shfaq një model mjaft të ndryshëm dhe inovativ ndërhyrjeje, të cilin e konsideroj si një përmirësim të theksuar të të vjetrit, model i cili ishte mjaft ekspansiv dhe i kushtueshëm.
Modeli i ri mundëson dy gjëra:
Fillimisht sigurohet se ka aleanca lokale të përkushtuara ndaj të njëjtave qëllime të koalicionit të jashtëm. Në këtë mënyrë, situata paraqitet më legjitime. Dhe nëse ka diçka që na e ka mësuar si Afganistani, si Iraku, është fakti se legjitimiteti lokal është çelësi.
Së dyti, ky model sigurohet për një ndarje të shëndetshme barre, në mënyrë të tillë që Shtetet e Bashkuara të mos ngelen të vetme në zotërimin e vendit, sikurse ka ndodhur shpesh në të shkuarën.
Krahasuar me luftërat në Irak dhe Afganistan, operacioni libian kishte një kosto të ulët. Në tërësi u kushtoi Shteteve të Bashkuara rreth 1 bilion dollarë. Lufta në Irak, së bashku me atë në Afganistan kushtuan së bashku 1.3 trilionë dollarë. Me fjalë të tjera, suksesi në Libi u arrit me më pak se një të dhjetën e shpenzimeve për ndërhyrjet në Irak dhe në Afganistan. Padyshim që ky model nuk është aspak i keq për të ardhmen.
Kjo qasje ka kritikë si nga ana e djathtë, ashtu edhe nga ajo e majtë. Disa nga të majtët, ndërkombëtarët liberalë, u tmerruan nga fakti se njerëzit në Benghazi brohoritën Presidentin Nicolas Sarkozy. Ata mendojnë se vetëm emri i Presidentit Obama duhet të jetë në buzët e libianëve të çliruar. Por në fakt, nuk ka asgjë të keqe, një botë në të cilën edhe europianët lidhen me kauzën e lirisë. Kjo do të thotë se ata janë të gatshëm të marrin përsipër përgjegjësi, si dhe të paguajnë një pjesë të ndërhyrjes. Dhe gjithashtu do të thotë se janë të gatshëm të përfshihen në procesin e vështirë të rindërtimit.
Modeli i vjetër i lidershipit amerikan, në të cilin ne merrnim të gjitha vendimet, merrnim përsipër gjithë barrën, paguanim gjithë operacionin dhe merrnim gjithë brohoritjet, ka ndryshuar. Njerëzit në Uashington duhet të kuptojnë se kur vende të tjera përfshihen, është normale që do të marrin përgëzime për suksesin. Është më e rëndësishme që Libia të shpëtonte, sesa Uashingtoni të shihej si shpëtimtari i vetëm.
Në të ardhmen duhet të ndjekim përsëri një model të tillë të limituar ndërhyrjeje. Shtetet e Bashkuara nuk mund të disponojnë një buxhet të palimituar për ndërhyrje në vende, të cilat, po ta themi shkoqur, nuk kanë rëndësi jetësore për interesat kombëtare. Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gates, e tha qartë: Libia nuk është jetësore për interesat kombëtare amerikane. Por pavarësisht kësaj, çështja është se revolucioni libian ishte një ngjarje me rëndësi, në të cilën nëse SHBA mund të ishte e dobishme, do të kishte përfitime të mëdha për Libinë dhe për vetë Amerikën.
Pyetja përpara Libisë ishte: A mund të vëmë në jetë ndërhyrje të suksesshme, por duke mbajtur nën kontroll, si kostot financiare edhe ato humane?
Sot, përgjigjja është po.

Posted August 27, 2011 by radiofocus in Shtypi i huaj

SHQIPTARËT DHE STUDIUESIT GJERMANË   Leave a comment

Xhelal Zejneli



Për shkak të mungesës së të dhënave për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë një periudhe të mesjestës (shekulli VI deri XI), prejardhja e shqiptarëve, në studimet gjermane, u bë objekt i një debati të gjatë shkencor.  
Studimi i gjuhës shqipe për të arritur në përfundime mbi prejardhjen e saj e të shqiptarëve filloi qysh me filozofin dhe matematikanin gjerman Lajbnicin (Gottfried Ëilhelm Lajbniz, 1646-1716) dhe me historianin suedez Tunman (Hans Erich Tunmann, 1746-1778; profesor në universitetin e Halles në Gjermani). Tunman është një nga albanologët e parë. Në veprën e tij Hulumtime për historinë e popujve të Evropës Lindore (1774) bëhen orvatjet për të shpjeguar prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Sipas tij, bazuar në dokumentet e lashta greko-latine e bizantine, del se shqiptarët mesjetarë janë vazhdues autoktonë të ilirëve.
Studimi i parë gjerman, e njëkohësisht evropian, rreth prejardhjes së gjuhës shqipe e të shqiptarëve i takon filozofit më të madh të kohës së tij – Lajbnicit. Këtë përpjekje ia kishte kërkuar bibliotekari i Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, ku tanimë ishte themeluar Akademia e Shkencave e Prusisë. Për prejardhjen e gjuhës shqipe Lajbnici bën fjalë në tri letra që tanimë njihen si “Letra shqiptare”  të cilat ai i dërgonte bibliotekarit të Bibliotekës Mbretërore të Berlinit. Në letrën e dytë të datës 10 dhjetor 1709 Lajbnici e quan shqipen “gjuhë e ilirëve të lashtë”. Enciklopedisti i gjuhëve – Lajbnici – thotë se kishte shtënë në dorë një libër dhe një fjalor të gjuhës shqipe, të cilët dihet se janë “Doktrina e kërshtenë” (1618) e Pjetër Budit (1566-1622) dhe “Fjalori latinisht-shqip” (“Dictionarium latino-epiroticum”) (1635) i Frang Bardhit (1606-1643). Filozofi i madh, në etimologjizimet e fjalëve shqip operon me një koncept që do të formulohej shkencërisht rreth një shekull më vonë.
Shekulli XVIII është shekull i iluminizmit. Më 1774 u botua në Lajpcig libri i Tunmanit Kërkime për historinë e popujve të Evropës Lindore, kushtuar historisë dhe prejardhjes së shqiptarëve dhe të rumunëve. Tunmani del si eksploratori i parë i Evropës shkencore në historinë e shqiptarëve. Tunmani kishte vënë në dorë Fjalorin latiisht-shqip të F. Bardhit dhe përkthimin shqip të Katekizmit të Belarminit nga Pjetër Budi.
Koncepti i familjes gjuhësore indoevropiane në formën e tij embrionale u parashtrua së pari nga Uiliam Xhons rreth 80 vjet pas letrës së Lajbnicit. Gjuhëtari gjerman, një nga themeluesit e linguistikës si shkencë e pavarur Franc Bop (Franz Bopp, 1791-1867) është i pari që argumentoi se shqipja bën pjesë në trungun e gjuhëve indoevropiane. Filozofi dhe teoricieni i historisë së shekullit XVIII Johan Gotfrid Herder në veprën e tij “Ide për historinë e njerëzimit”, 1784-1791), bën fjalë edhe për popujt e sotëm të Evropës e të botës. Herder-i në këtë vepër thotë për shqiptarët: “Ata nuk janë aspak të huaj, por një popull i lashtë i familjes evropiane”. Kjo ide e Herderit pohon autoktoninë e popullit shqiptar. Për Herderin  a) shqiptarët janë popull me histori të lashtë; dhe b) shqiptaërt rrjedhin prej ilirëve. Në vitin 1850 August Shlajheri vërtetoi karakterin indoevropian të shqipes. Studiuesi dhe albanologu gjerman Jozef Riter fon Ksilander (Josef Ritter Xylander,1794-1854) është autor i veprës Gjuha e shqiptarëve (Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren,1835).         
Në kohën kur është botuar vepra në fjalë e Herderit, për Evropën shkencore ishte bërë e njohur edhe pikëpamja që mohonte autoktoninë e shqiptarëve (rrjedhimisht edhe prejardhjen ilire të tyre) nëpërmjet autorëve bizantinë Halkokondilit dhe historianëve kishtarë Le-Quien dhe Assemani, që i bënin shqiptarët të ardhur gjatë mesjetës, i pari nga Alba e Italisë, kurse dy të tjerët Albania e Kaukazit.
Herderi është autori i tretë gjerman (e njëkohësisht evropian) që shprehet në favor të prejardhjes ilire të shqiptarëve.
Studimet rreth Shqipërisë e shqiptarëve hynë në një fazë të re pas themelimit të pashallëqeve shqiptare – autonome, sidomos të pashallëkut të Janinës, udhëheqësi i të cilit, Ali pashë Tepelena (1740-1822), një nga figurat më madhore dhe më komplekse të kombit shqiptar, synoi jo vetëm autonominë nga Porta, por edhe krijimin e një shteti të pavarur që do të shtrinte sovranitetin e tij mbi të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët. Ekzistenca e pashallëqeve faktikisht autonome i dha një impuls të fuqishëm zgjimit të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve dhe idesë së një shteti kombëtar shqiptar dhe bëri të njohur Shqipërinë si një entitet i veçantë politik brenda Perandorisë Osmane, si një objekt hetimi për Evropën shkenncore. Në pashallëkun e Ali pashë Tepelenës u vendosën për herë të parë përfaqësues diplomatikë të fuqive të huaja, fillimisht të Francës e të Anglisë, të cilët u morën me problemet shqiptare bashkëkohore e të së kaluarës, duke lënë vepra interesante. Konsull i përgjithshëm i Francës në Janinë u emërua Pukëvil-i (François Charles Henry Louis Pouqueville, 1770-1838, mjek, natyralist, diplomat dhe historian, ndoqi nga afër e për shumë vite veprimtarinë politike të Ali pashë Tepelenës). Në veprat e tij jepen të dhëna të shumta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, si në Udhëtim nëpër Greqi (6 vëllime, Paris,1820), Historia e ringjalljes së Greqisë. Vepra e tij përshkohet nga një admirim për grekët dhe nga njëfarë denigrimi për shqiptarët. Përfaqësues politik i Anglisë në Janinë u emërua Uilliam Martin Lik-u (1777-1860). Liku është autor i veprës Udhëtime në Greqinë e veriut (1835). Me këto punime bota shkencore evropiane mori në dorë një informacion të pasur për Shqipërinë si dhe nxitje për studimin e këtij vendi dhe të historisë së tij.
Për qëllime njohëse e studimi do të shëtisnin në Shqipëri që nga poeti romantik anglez Xhorxh Gordon Bajroni (George G. Byron, 1788-1824) dhe miku i tij Xhon Kam Hobhaus (1786-1869) deri te dijetari fancez Ami Bue (1794-1881) dhe arkeologu francez Leon Hezej. Në këngën e dytë të poemës së vet Shtegtimet e Çajld Haroldit (1812-1818) Bajroni vlerëson traditat burrërore, trimëritë, fisnikërinë dhe mikpritjen e shqiptarëve.
Rreth problemit të prejardhjes së shqiptarëve u shprehën vetëm Pukëvili dhe Liku. Qëndrimet e tyre janë krejtësisht të kundërta. Studiuesi francez pranon pikëpamjen fantastike të shprehur nga historianët kishtarë Le Quien dhe Asemani nga mesi i shekullit XVIII.
Për shqiptarët Liku flet në veprat Udhëtime në Greqinë e veriut (Travels in Northern Greece, Londër, 1835) dhe Researches in Grece, 1854. “Udhëtime në Greqinë e veriut” është një vepër themelore për historinë e Shqipërisë jugore, me informacione historike, gjeografike, ekonomike, gjuhësore, etnografike, arkeologjike etj. që shtrihet në kohë nga e sotmja deri në lashtësinë klasike, ku bie në sy njohja e burimeve të lashta greke e romake lidhur me trojet e Shqipërisë së jugut. Liku arriti në përfundimin se shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre qysh nga fillimi i epokës historike.
Në fillim të shekullit XIX Anglia dhe Franca kishin interesa politike, ekonomike dhe ushtarake në Mesdhe dhe në perandorinë Osmane, duke përfshirë edhe provincën shqiptare të saj. Në atë kohë Rajhu gjerman ende nuk kishte interesa të këtilla ekspansioniste në rajon. Por në “klubin” osman të fuqive evropiane shpejt do të futet Austria. Që nga vitet 40 të shekullit XIX edhe Austria do të kishte në Janinë përfaqësuesit e saj konsullorë.
Në fillim të shekullit XIX problemi i prejardhjes dhe i gjuhës së shqiptarëve u bë objekt i hetimit shkencor për arbëreshët e Italisë, të cilët tani kishin hyrë në etapën e një zgjimi të vetëdijes për kombësinë e lashtë së cilës i përkisnin. Së pari Nikollë Keta (1742-1803) në veprën “Etimologji të gjuhës shqipe” argumentonte autoktoninë e shqiptarëve dhe prejardhjen ilire të tyre. Në “Annales des Voyages” (vol. III, 1809) (Analet e udhëtimeve) të botuar nga Malte-Brun, studiuesi arbëresh Engjëll Mashi (1758-1821) botoi punimin “Ese për prejardhjen e zakonet dhe gjendjen aktuale të kombit shqiptar” duke argumentuar prejardhjen ilire dhe autoktoninë e shqiptarëve.
Kur më 1835 Uilliam Martin Lik nisi të botonte në Londër veprën e tij “Udhëtime në Greqinë e veriut” në Frankfurt-mbi-Majn, doli nga shtypi libri i gjuhëtarit bavarez Jozef Riter fon Ksilander Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren, në të cilin duke u mbështetur në 35 00 fjalë të shqipes solli argumente themelore në të mirë të prejardhjes së lashtë indoevropiane të saj, duke hedhur poshtë pikëpamjen për prejardhjen tatare ose kaukaziane të saj dhe duke u shprehur se shqipja është bijë e ilirishtes dhe shqiptarët – pasardhës të ilirëve. Ai argumentoi se shqipja nuk ka lindur nga ndonjë përzierje mekanike e gjuhëve romane. Ksilanderi studimin e gjuhës shqipe arriti që ta vërë në nivelin e gjuhësisë krahasimtare bashkëkohore. Me Ksilanderin përfundon etapa e parë e studimeve gjermane mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Studiuesi dhe albanologu gjerman, njëri nga themeluesit e shkencës së albanologjisë Johan Georg fon Han (1811-1869) i lindur në Jena, gjatë udhëtimit në Shqipëri e Greqi, njohu shqiptarë dhe arbëreshë. Emërimi i tij si konsll i Austrisë në Janinë në vitin 1847, i dha atij mundësinë që t’i kushtojë thuajse tërë jetën e tij aktive si studiues i popullit shqiptar nga i cili ishin shkëputur arbëreshët në mesjetë. Hani është autor i veprës monumentale për historinë dhe botën shqiptare në përgjithësi “Studime shqiptare” (Albanesische Studien, Jena, 1954). Më vonë botoi veprën Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit (1867-1869). Në veprën Studime shqiptare Hani thotë: “Meqë shqiptarët nuk janë sllavë dhe nuk lidhen ngushtë me ndonjë nga popujt e tjerë që njohim, meqë burimet fare të pakta që kemi nuk flasin për ndonjë shtegtim tjetër (veç atij sllav), i cili të ishte aq i madh sa të krijonte një popull të madh, duhet pranuar se shqiptarët e sotëm janë banorët e hershëm parasllavë të atij  vendi .” Më 1868 Hani boton në Vjenë veprën Udhëtim nga Beogradi në Selanik. Ai riformulon pikëpamjen e tij për autoktoninë e shqiptarëve.  “Ne mund të pranojmë në mënyrë të padiskutueshme se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve dhe të epirotëve të lashtë” (vepra e cituar, f. 228). Në këtë vepër ai përshkruan vise të banuara nga shqiptarë në Kosovë, Maqedoni e Serbi, njeh prejardhjen dardane të kosovarëve, njeh autoktoninë e shqiptarëve në trevat e banuara prej tyre në Maqedoni në shekullin e kaluar.       Argumentimi i autoktonisë së shqiptarëve nga Hani ngjalli një reagim të menjëhershëm nga ana e kundërshtarëve të autoktonisë. Më 1855 u botua teza e doktoraturës e studiuesit Nikokles në Universitetin e Hajdelbergut në të cilën nga pozita antishkencore ai përpiqet të argumentojë pikëpamjen mitike të ardhjes së shqiptarëve nga Albania e Kaukazit në periudhën e mesjetës, që ishte paraqitur së pari nga historianët kishtarë një shekull para tij.                                               
Punimi i Nikoklesit mori përgjigje shkencore në vitin 1857 nga historiani gjerman i mesit të shekullit XIX – Falmerajeri (J. Ph. Fallmerayer), i cili tregoi karakterin antishkencor dhe fantastik të punimit në fjalë. Në veprën e tij në tri pjesë Elementi shqiptar në Greqi, 1857, Falmerajeri përshkruan situatën e studimeve rreth historisë dhe prejardhjes së shqiptarëve, duke na dhënë tablonë në të cilën duket qartë dominimi i pikëpamjes së autoktonisë mbi atë të aloktonisë, një dominim në nivel shkencor të argumentimit. Falmerajeri  zbulon vitalitetin e lartë të popullit shqiptar, qëndresën e tij të jashtëzakonshme ndaj asimilimit kulturor dhe etnik dhe e konsideron popullin shqiptar si një shembull të gjallë të faktit që një popull luftarak është në gjendje të mbijetojë dhe përballë rrebesheve më të egra të historisë.                                                     
Në vitet 40 të shekullit XIX gjuha shqipe u bë objekt studimi për figura të tilla të shquara botërore të gjuhësisë krahasimtare siç ishin Franc Bop-i (1791-1867), profesor në Universitetin e Berlinit dhe August Shlajher-i (1821-1868). Më 1843 F. Bop-i shqyrtoi numrorët dhe përemrat e shqipes dhe arriti në përfundimin mbi karakterin indoevropian të shqipes, duke konfirmuar përfundimin e J. R. fon Ksilanderit. Më 1850 August Shlajheri, i njohur si themelues i teorisë së pemës gjenealogjike në gjuhësinë e krahasuar indoevropiane dhe rikonstruktuesi i gjuhës protoindoevropiane, kishte provuar karakterin indoevropian të shqipes, duke i dhënë asaj një vend të afërt me greqishten. Më 1855 Bopi e hodhi poshtë pikëpamjen e Shlajherit rreth lidhjeve të ngushta të shqipes me greqishten. Ky ishte një përfundim i rëndësishëm edhe për lëvizjen patriotike shqiptare gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, sepse sillte një argument shkencor kundër propagandës së megaliidhesë rreth një lidhjeje të lashtë preardhjeje të përbashkët e kulturore të shqiptarëve me grekët. Qysh në vitin 1861 arkeologu francez Leon Hezej (Leon Heuzey) vizitoi dhe përshkroi një sërë qendrash të lashta, ish-koloni greke të lashtësisë.              Edhe studimet për gjuhën shqipe filluan të dalin përtej kufijve të Gjermanisë. Gjuhëtari slloven Franc Miklosiç (1813-1899), profesor në Universitetin e Vjenës, nga vitet 60-70 të shekullit XIX u mor me historinë e shqipes (së cilës ai i njohu prejardhjen ilire) dhe me problemet e marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera në fushë e leksikut. Po kështu nga vitet 80 të shekulit XIX gjuhtari çek Jan Urban (1848-1923) u mor me problemet e gjuhës e të folklorit shqiptar. Nga mesi i shekullit XIX në historiografinë gjermane dhe atë botërore po ngrihej figura e njërit prej historianëve më të mëdhenj të kohëve moderne, Teodor Memesen-it. Në punimin e vitit 1850 Dialektet e Italisë së Jugut ai arriti në përfundimin mbi lidhjet e mesapishtes me ilirishten dhe me shqipen. Në veprën madhore të tij Historia e Romës, epirotët e lashtë të prirë nga Pirua ai i mbiquan “shqiptarë të lashtësisë”.                                                           
Jemi tani në kohën kur gramatikanët e rinj (Junggrammatiker) kishin formuluar ligjet e përgjithshme të evolucionit fonetik të gjuhëve. Për shqipen ky moment arrin kulmin me botimin në vitin 1891 të Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe nga profesori austriak dhe albanologu Gustav Majer-i (1850-1900). Majeri hapi rrugën e studimit të fonetikës historike të gjuhës shqipe në të cilën më vonë do të jepnin kontribute themelore figura të tilla të gjuhësisë si Holger Pedersen-i (1867-1953; gjuhëtar dhe shkencëtar danez, albanolog), Norbert Jokli (1877-1942; pedagog dhe studiues austriak, albanolog) e deri te Eqrem Çabej (1908-1980) dhe studiues të sotëm si Erik Hempi, Martin Huldi etj.                    
Në vitin 1877 në Gjermani del studimi i parë antropologjik për shqiptarët e, me të bashkë, nis dhe antropologjia e shqiptarëve. Udhëhapës në këtë degë të albanologjisë do të jetë një figurë e shquar e shkencës së shekullit XIX, patologu dhe antropologu Rudolf Virhov (Rudolf Virchov,1821-1902) i njohur si themeluesi i patologjisë qelizore. Ai botoi në Berlin punimin Mbi kraniologjinë e ilirëve. Shqiptarët, kafkat e të cilëve i pat studiuar, Virhovi i identifikon me ilirë.                                 
Nga fundi i shekullit të kaluar Helbig-u zbuloi se emrat e njerëzve që hasen në mbishkrimet mesape në shumë raste janë thuajse të njëjtë me antroponimet ilire të bregdetit lindor të Adriatikut.              
Mesapët ishin një fis joitalik që në Italinë Jugore, në pjesën lindore të siujdhesës apenine, kishin emigruar nga Epiri dhe Iliria. Ata ishin  një degëzim i trungut të popullit ilir. Për t’i deshifruar mbishkrimet mesape, dijetarët vendosën ta shfrytëzojnë shqipen. Studiuesi gjerman S. Buge në vitet 90 të shekullit XIX botoi punimin Mesapishtja dhe shqipja ku ai, në evolucionin fonetik dhe në leksik, midis gjuhës së mesapëve të lashtë dhe shqipes së sotme zbulon një sërë përputhjesh. Në fillim të shekullit XX pasuan studime të tjera si ai i studiuesit italian F. Ribeco (F. Ribezzo). Në vitet 30 të shekullit XX pasuan studimet e gjuhëtarit gjerman A. fon Blumental, kurse në vitet 60 të atij shekulli – studimet e O. Has-it.
Historia dhe gjuha e ilirëve u njoh me një konsensus të kënaqshëm ndërkombëtar si histori dhe gjuhë e paraardhësve të shqiptarëve. Kërkimet në këtë fushë, duke nisur nga fillimi i shekullit XX formojnë një fushë të veçantë të dijes, të njohur si ilirologji. Një ndër përpjekjet më të hershme për ta parë gjuhën e ilirëve në një kontekst të dyfishtë, si paraardhëse të shqipes e në marrëdhëniet e saj indoevropiane u bë nga gjuhëtari i shquar gjerman e një nga helenistët më të mëdhenj – Paul Kreçmeri në kryeveprën e tij Hyrje në historinë e gjuhës greke (1896), ku problemet e ilirishtes trajtohen në unitetin e tyre me shqipen dhe mesapishten.
Shkencëtarët gjermanë ishin Prometheu që nxori dritën e së vërtetës nga terri i mosdijes. Para monumentit që ata kanë ngritur në fushën e historisë e të gjuhës shqipe, shqiptaërt përulen me mirënjohje të thellë.   
*          *          *
            Më 23 gusht 2011 Beogradin e vizitoi kancerlarja gjermane Angela Merkel. Me këtë rast, ajo ia bëri me dije kryetarit të Serbisë Boris Tadiqit se pavarësia e Kosovës, sovraniteti dhe tërësia e tokave të saj janë çështje e mbyllur.
            Kombi shqiptar në Ballkan dhe kudo në botë popullin gjerman e ka në zemër. 

Posted August 26, 2011 by radiofocus in Studime

NË ZYM TË HASIT, TE GJEÇOVI E ANTON PASHKU   Leave a comment

Ndue Dedaj

TAKIMI I PARË, ME GJEÇOVIN

Shtatorja e re e Gjeçovit në Zym
Kushdo që vete në Zym, e para gjë që bën, pyet se ku prehet Shtjefën Gjeçovi. Nuk bëjmë përjashtim as ne. Dhe, fati ka dashur që të hasim në udhërrëfyesit e duhur. Gazetari i njohur Frrok Kristaj e studiuesi i historisë, Nikollë Kërhanaj, njerëzit që na shoqërojnë në “takimin” me Gjeçovin, na e rrëfejnë vrasjen e tij nga serbët si të ketë ndodhur dje, edhe pse kanë kaluar 80 vjet nga ai 14 tetor i 1929-s, e ata as që kishin lindur asokohe. Por detajet e asaj vrasjeje i “mbajnë mend” mirë prej prindërve të tyre dhe kujtesës së historisë. Kjo ka qenë natyra e komunikimit në malet shqiptare, mot-motesh, përmes këngëve, rrëfimit të historive, ngjarjeve, që më shumë shtegtonin gojë më gojë, se me përmes letrës së bardhë. Gjeçovi dijetar e hero prehet brenda rrënojave të kishës së Shna Premtes. Po aty, ngjitur me shkrimtarin e Kanunit, është dhe varri i një tjetër atdhetari, At Luigj Palajt, rënë me 1913, dhe ai si një dëshmor i kombit. Kosova është i vetmi vend i Ballkanit, ku mund të flitet për heronj, si në vitet e para të shekullit XX, si në vitet e fundit të atij shekulli, kur dihet që ajo u çlirua më 1999, në vitin e parafundit të tij. Dikush e paskësh quajtur “varrezë kombëtare” këtë të Zymit, pasi këtu prehet dhe shkrimtari i madh Anton Pashku, aktorja e famshme Katarina Josifi, sopranoja e njohur Hermina Leka etj. Por dhe dy varre “interesante”, që u përkasin dy motrave të nderit (murgeshave) Marie dhe Dila Nerjovaj, nga Lugishta e Hasit. Kur popullata e atij katundi kaloi në besimin islam më 1852, ato të dyja lanë amanet që, kur të vdisnin, t’i sillnin në Shëngjergj, dhe ashtu ngjau. Nuk është aspak çudi që trazime apo rrethana të historisë sonë i gjen dhe në varreza, si “palimpseste” që mund t’ua rrokësh domethënien, për të kuptuar dhe më thellë ngjarjet që kanë ndodhur, edhe ato “rreshta” që mund të mungojnë në manualet e historisë.
Në Zym prej 40 vjetësh organizohen “Takimet e Gjeçovit”, bash prej këtyre njerëzve që kemi në krah si udhërrëfyes. Në fillim bëheshin te Lisat e Shna Premtes, pastaj te Lteri aty pranë dhe së fundi në amfiteatrin e ri. Ato janë manifestime të përvitshme shpirtërore, letrare, artistike. Gjithnjë brenda atyre “takimeve” ka vend për “Orën e Anton Pashkut”, ku kumtohet për shkrimtarin dhe veprën e tij. Takimet ndiqen nga banorët dhe elita kulturore shqiptare e Prishtinës, Ulqinit, Shkupit, tash dhe nga Shqipëria. Në tetor të këtij viti do të jetë i 40-i “Takim” kulturor mbarëkombëtar me Gjeçovin dhe Frrok Kristaj, ashtu si para dyzet vjetësh, është sërish prijetar i kësaj veprimtaria shembullore.

“ABETARJA E ZYMIT” E VITIT 1900

Shtjefën Gjeçovi

Zymi krenohet me të drejtë me abetaren e tij shqipe qysh më 1900-ën, e cila sipas Nikollë Kërhanajt besohet se u shaptilografua në mjediset e kishës së Zymit. Ky lokalitet e niste shekullin e ri, atë të njëzetë, me një monument vetanak të dijes. Mund të jetë ndër rastet e rralla, jo vetëm në botën shqiptare, kur një lokalitet ka abetaren e vet. Por kur mediton mbi udhën e shkronjave shqipe nëpër kreshta malesh, e kupton se aty ku kishte pasur Pjetër Bogdan në shekullin e 17-të, pse të mos kishte “Abetare të Zymit” dy shekuj më vonë. Ndërkohë që shkolla e parë aty kishte qenë hapur qysh në vitin 1864. Abetarja e Zymit është e skalitur në gur dhe një fotografi aty është një kujtim domethënës për çdo shqiptar. Simbolika kombëtare zotëron kudo në Zym, pasi aty është ruajtur aq mirë palca e identitetit tonë. Mjafton të shohësh qoftë dhe lterin e kishës së Shna Premtes, i cili përpos se objekt kulti, paraqet një shqiponjë, një libër dhe një shtyllë, kjo e fundit në kuptimin e qëndresës. Udhërrëfyesit tanë s’reshtin së foluri. Ata na prijnë për te një tjetër shenjë kulturore e identitetit të këtij vendi e këtyre njerëzve. Një lapidar mes blerimit kushtuar atyre zymjanëve që në dekadën e fundit të shekullit XX (1991-1999), përsëritën historinë; kur serbët i dëbuan nga shkolla mësuesit dhe nxënësit, domethënë nga “abetarja” e tyre shqipe, ata hapën dyert e shtëpive të tyre për të mësuar fëmijët, i bënë shkolla. “Ka qenë ish-Presidenti Fatmir Sejdiu që e ka përuruar këtë lapidar”, – shton njëri nga ata.
Hasin, kufiri e ndan në dy pjesë thuajse të barabarta, pjesa e Kosovës: 241 km katrorë me 40 mijë banorë dhe pjesë e Shqipërisë: 243 km katrorë me 21 mijë banorë. Tani pak rëndësi ka kjo e dhënë, por dje ishte ndryshe. I binte që një krahinë e tërë shqiptare, nga më të njohurat, të ishte e përgjysmuar me Serbinë. Por dhe pse shteti serb kishte në administrim territorin, ne kishim aty një nga gurët e themelit të kombëtarisë sonë. Përmendet se disa zymjanë kishin marrë pjesë në Betejën e Kosovës (1389). Një ndër gjashtë hipotezat mbi origjinën e Skënderbeut, thotë se ai ishte nga Hasi i Thatë, teksa ishin mirëfilli prej këndej: Pal Hasi, dinastia Bogdani (Ndre, Pjetër, Gjon e Lukë Bogdani), apo ku shërbyen Mëhill Suma, Lazër Lumëzi, Ndue Bytyçi etj. Ndër më të shquarit kishte qenë ipeshkvi dhe shkrimtari nga Gjakova, Gjon Nikollë Kazazi që kishte zbuluar në Romë “Mesharin” e Buzukut. Në Zym të Hasit, për gjysmë shekulli (1702-1752), ka qenë strehuar, për shkak të përndjekjeve osmane, Ipeshkvia Shkup-Prizren. Na thonë se në Kuvendin e Arbërit (më 1703) në Mërçi të Lezhës, bashkë me Ipeshkvin Pjetër Karagiqi, patën marrë pjesë dhe dy zymjanë.
Zymi është quajtur “Roma e Vogël”, pasi, ashtu si kryeqyteti italian, është i vendosur në shtatë kodra, në secilën nga një lagje. (Na bie ndërmend një novelë e Kasëm Trebeshinës me titullin “Fshati mbi shtatë kodrina”.) Por kjo “Roma e Vogël” hasjane nuk ishte si kryeqyteti italian, ku kishin kryer studimet për teologji e filozofi apo ishin shuguruar ipeshkvinj edhe shqiptarë të këtyre anëve, përkundrazi ishte një vend i thatë, pa ujë të mjaftueshëm, me rrugë të ngushta, me tokë gëlqerore, siç e përshkruajnë autorët vendës, çka sipas tyre, i kishin dhënë Zymit një pamje të zymtë, nën hijen e “olimpike” të Pashtrikut. Zymi i sotëm, i cili shkon me komunën e Prizrenit, ka një peizazh mahnitës, me lisat e mëdhenj të moçëm, amfiteatrin e ri “gjeçovian” me 1000 vende, në shëmbëllim të atij të Durrësit, me dy shtatore që sikur flasin me njëra-tjetrën; e Gjeçovit dhe e Bogdanit (së afërmi), kishën e Zojës, obeliskun e Abetares së Zymit, shkollën fillore, gjimnazin “Gjon Buzuku”, bibliotekën, muzeun etj. Zymi ka 6000 banorë, të besimit katolik dhe atij mysliman, por rrojnë aty më pak se një e treta, pasi të tjerët janë në emigracion, shumica në Kroaci. Njerëz të urtë, të fisëm, s’ka pasur kurrë grindje dhe sherre me tyre; kanë fituar dhe kulturën e emigracionit, që do të thotë, kulturë e vendeve europiane nga vijnë. Po ashtu, është për t’u përmendur toleranca fetare etj.

“ZOJA E HASIT, LUTU PËR NE”!

“Dyndet krejt Dukagjini në këtë ditë e vjen këtu. Janë rreth dhjetë mijë veta në procesionin e sotëm të pajtores sonë, “Të ngjiturit e Zojës së Bekuar në Qiell”. Ne shqiptarët e emërtojmë këtë shenjtore me emërtime të llojllojshme, si: Zoja e Madhe, Zoja e Berishës, Zoja e Grudës, Zoja e Hasit, ku në veçanti është e njohur Shenjtorja në Letnicë të Kosovës (e quajtur dhe “Zoja e Cernagorës”) nga e mori edhe Nënë Tereza thirrjen për të shkuar për murgeshë. Historiani i palodhur, Nikollë Kërhanaj dhe frati At Ndue Kajtazi kanë shkruar një monografi për Zojën e Hasit dhe udhën e saj mes banorëve të kësaj treve, që epiteti “i thatë” na duket se tash nuk i shkon më as relievit. Në Kosovë ka një përpjekje serioze të studiuesve dhe krijuesve për të dokumentuar historinë, traditat, etnokulturën e trevave shqiptare në viset dardane. Është vërtet emocionuese të shohësh flamurin e ri të shtetit të Kosovës të valëvitet në majë të kambanores së kishës së Zojës në Zym.

PRITET TË “VIJË” PJETËR BOGDANI

Pjetër Bogdani (1630 – 1689), i lindur në Gur të Hasit të Prizrenit, autori i mirënjohur i “Çetës së Profetëve”, ndër të parat vepra origjinale të letërsisë shqipe, përndryshe “vepra e parë në prozë e shkruar në gjuhën shqipe”, duket pak më i largët në ligjërimin e ditës, si të gjitha majat që tashmë janë shfaqur plotësisht, dhe rrinë atje lart në krye, mbështjellë me pak mjegull. “Çeta e profetëve” përmban Sibilat, shkruar nga vetë autori, apo dhe nga ndonjë i afërm i tij. Ndër to me interes të veçantë është një vjershë e Lukë Bogdanit, që sjell të gjallë kujtimin e Skënderbeut dhe mbresat e autorit për madhështinë e vendlindjes. Pjetër Bogdani e shkriu jetën në male duke predikuar mirësinë, humanizmin, qëndresën e shqiptarëve. Në njërën nga vjershat e tij, të vitit 1685 (“Sibila Persika”), ai shkruan: 
“Kumbon zani malesh e këlthet ndë shkretëti
sihariq me dhanë e udhë të drejtë 
shekullit me çelë…”,
ku predikon një jetë pa vese, faje e sherre, por vetëm të shëlbuemit e njeriut në “udhën e drejtë” të kishës e besimit.
…Dhe ja, ky kolos i përndritur i kombit tonë pritet të “ngjitet” në piedestal në Zym. Shtatoren e tij po e punon skulptori i njohur shkodran, Sadik Spahia, në Tiranë, që ka bërë dhe atë të Gjeçovit. Secila nga të dyja shtatoret do të jetë tre metra e lartë, mbi një bazament po prej tre metrash. Ata janë konceptuar sikur “flasin” me njëra-tjetrën, siç kanë folur mes tyre kohët shqiptare të këtyre maleve, Mesjeta me Rilindjen. Është vendosur tashmë shtatorja e Gjeçovit dhe pritet të përfundojë dhe ajo e Bogdanit, që veçse një nga shkrimtarët e parë të letërsisë shqipe, ka qenë dhe ipeshkëv i Shkodrës, Kosovës, udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689. 
Është e ditur tashmë se shpesh atelietë e shkrimtarëve të parë kanë qenë pikërisht famullitë, pasi në kësi vendesh janë shkruar dhe poezitë e Palit prej Hasi, dhe “shënimet” e Gjon Nikollë Kazazit, dhe Kanuni i Gjeçovit, i cili ndonjëherë botonte me pseudonimin “L’keni i Hasit”.

ANTON PASHKU SHKRUANTE NËPËR RRASA GURI…

Në fjalët e udhërrëfyesve tanë të këtij reportazhi ka emocion kur bie fjala për Anton Pashkun. Gjeniu i modernitetit në letërsi, siç e quajnë në Kosovë, nuk ka fjalë. Duhet lexuar dhe në përtejheshtjen e tij. “Vinte shpesh në rininë e tij këtu në Zym, kishte dajat në shtëpinë tonë (të Kërhanajve), e ndoshta kur ka shkrue tregimin ‘Nën qarr po rrinte vasha’, më 1959 (botuar në librin me tregime “Lutjet e mbrëmjes”) ka pasë parasysh këtë lisin tonë treqindvjeçar dhe të motrën nën hijen e tij”, – thotë Nikolla, duke na treguar një lis madhështor në qendër të Zymit. Kurse Frroku na rrëfen diçka krejt të veçantë që dhe e ka botuar në shkrimet e tij: “Kur Antoni vinte në Zym, shkonte me barinjtë e dajave të tij për të ruajtur bagëtinë. Dhe teksa ai sillej nëpër mal, shkruante nëpër rrasa guri. Pasi kthehej nga mali ku ruanin bagëtinë, Antoni i bartte rrasat e gurit të shkruara prej tij, nga Rrethi i Bletës, Lëndinat e Shënkollit, Bunari i Ri e deri te Kroi i Laskavecit… Ato rrasa i palonte nën strehën e shtëpisë së njërit prej dajave, bacës Mark, i cili kujdesej për to, pasi e donte shumë Antonin”. Barinjtë gjithnjë merreshin me diçka; gdhendnin figura shpendësh, bënin furka, blixha, apo dhe ndonjë pushke druri-lodër për fëmijët, por nuk kishte nga ata që shkruanin nëpër rrasa. Anton Pashku me ato shkrime a shenjëzime duket se imitonte të parët që shkruanin në papiruse. Më vonë ato rrasa patën humbur dhe askush nuk e di se ç’kishin qenë ato shenja apo fjalë të shkruara. Por sidoqoftë, aty niste letërsia e tij, prej guri. E shkrimtarit që Ibrahim Rugova do ta quante, Xhojsi i letërsisë shqiptare. Do të ketë qenë ndonjë lloj semiotike guri, tash e përhumbur, por ndoshta letërsia e mëvonshme e tij na e thotë sadopak se cilat kishin qenë ato kodet e tij krijuese që ai së pari ia kishte falur gurit… E ne, s’bëjmë gjë tjetër veçse përkulemi me nderim të thellë para gurit të varrit të tij, fare pranë atij të Gjeçovit. 
Petrit Palushi, shkrimtari i njohur kuksian, vite më parë ka krijuar “Klubin Anton Pashku” në Kukës, që ka zhvilluar një varg veprimtarish kushtuar shkrimtarit të njohur, e ku me siguri që do të ketë menduar dhe për “Orët” e ardhshme letrare të Pashkut. 
Për më tepër, në Prishtinë ka një shtëpi botuese në emrin e Anton Pashkut, që publikon në vazhdimësi letërsi.

NJË PRINCESHË E AKTRIMIT SHQIPTAR, KATARINA JOSIPI

Për Katin, siç e thërrisnin aktoren më të madhe të teatrit në Kosovë, flitet veçse me gjuhë poetike. E kanë quajtur “primadonë të teatrit shqiptar”, “ikonë të skenës në Kosovë”, “fenomeni Katerina Josipi”, “një firmë artistike par ekselans”, “një emër unikal dhe i papërsëritshëm skenik”, “prijatare e dramës shqipe” etj. Publicisti dhe shkrimtari Frrok Kristaj i ka kushtuar një monografi. Ai shkruan se emri i Katit është guri dhe dërrasa e parë e binës dhe e skenës së teatrit në gjuhën e ëmbël të trojeve etnike shqiptare jashtë Shqipërisë administrative. Katarina qe lindur në Zym të Hasit, më 9 nëntor 1943, ku dhe e nisi shkollën fillore, në gjuhën serbe, pas vrasjes së Gjeçovit. Në vitin 1948 hyri si femra e parë shqiptare në Teatrin Popullor të Prishtinës. Kati e famshme nuk rroi gjatë, u nda nga jeta me 1969, kur ishte vetëm 46 vjeç dhe “shtegtoi” nga Prishtina për t’u varrosur në Zymin e dhèlindjes. Si një motër e madhe e Bekim Fehmiut të paarritshëm, me të cilin luajti në Teatrin e Prishtinës. Po ashtu, dhe e Nexhmie Pagarushës, Muharrem Qenës, Ekrem Kryeziut, Hyrie Hanës, Istref Begollit e të tjerë, me të cilët gjithashtu luajti në skenën e Teatrit, por dhe e Tefta Tashkos, Marie Logarecit, Tinka Kurtit, Mihal Popit, Besim Levonjës, Pjetër Gjokës, me të cilët nuk pati fatin të ndante skenën, por vetëm atdhetarinë. Kati luajti 73 role, duke krijuar një figurë unike të aktores së madhe kosovare, që shndriti dhe u shua si një meteor në qiellin e Kosovës.
Dy ndër prijatarët kulturorë të Zymit padyshim janë Frrok Kristaj e Nikollë Kërhanaj. Ata dhe të tjerë kujdesen për gjithçka që ka të bëjë me ceremonitë, shkrimet, titujt, emblemat e këtushme. I fundit si famullitar ka ardhur nga Kroacia Dom Ndue Ballabani. Falë kësaj elite kulturore, arsimtarëve të devotshëm, nxënësve, banorëve, emigruesve-përherë me rrënjët këtu, dashamirëve, në Zym ka përherë një vetëdije kulturore për t’u admiruar, të fytyrëzuar në disa institucione, shoqata, monumente, botime etj. Kushdo që ka shërbyer në Zym ka lënë një gjurmë, një dëshmi, ka lënë emrin e tij nëpër gurë e drurë. Jo rastësisht shqiptohen përditë toponimet e këtushme: “Lisi i Patër Dedës”, “Blini i Patër Pjetrit” etj.
Frrok Kristaj është njeriu mes Zymit dhe Prishtinës. Ai ka qenë për shumë vite gazetar i “Rilindjes”, për të cilën thotë se, “ka qenë institucioni më i madh që ka pasur kombi shqiptar jashtë Shqipërisë”. Tirazhi i kësaj të përditshmeje ishte mesatarisht 70-80 mijë kopje dhe çdo kosovar e kishte në shtëpi. Ai ka shkruar dhe një monografi për këtë “institucion”, siç e quan ai. Kristaj ka qenë dhe mësues i gjuhës shqipe në Gjermani për disa vite. Por, sidoqoftë, ai është përherë në Zym, i lidhur shpirtërisht me çdo lule e gur të vendlindjes së tij. Ashtu si njeriu tjetër fisnik, Nikollë Kërhanaj, që ka shkruar me aq përkushtim monografinë e Zymit dhe disa libra të tjerë për të. Lum si ai vend që ka prijatarë të tillë, të ditur dhe të pabujë. Ti që ke qenë për pak kohë mes tyre, nuk mund të mos e shohësh vazhdën e pakëputur të prijatarëve kombëtarë, kishtarë dhe kulturorë të këtyre vendeve të epërme, qysh nga Mesjeta, nga meshtari dhe shkrimtari i parë, Pali i Hasit, që shkruante vjersha të përshpirtshme në këto kreshta malesh të Drinit të Bardhë.

Posted August 25, 2011 by radiofocus in Reportazhe

Politika e re monetare e Kinës   Leave a comment

Nga Martin Feldstein*

Qeveria e Kinës është mёse e gatshme t’i lejojë kursit tё këmbimit huanit kinez (Yuan)-dollarë, të pësoje një rritje mё tё madhe në muajt e ardhshëm; nё krahasim me kufizimet e  vitit tё kaluar. Kursi i këmbimit pësoi një “ngrirje” gjatë krizës financiare, por që nga vera e vitit 2010 i është lejuar tё ketë njё ngritje relativisht tё mirё tё vlerës sё kursit tё këmbimit. Në 12 muajt e fundit, huani është forcuar kundrejt dollarit me 6%, nё monedhën e vet tё referencës. Një rritje më e shpejtë e normës nё këmbimin  huani- dollar, do të tkurrte eksportet dhe do tё  rriste importet kineze. Ky veprim do ti lejonte monedhave tё vendeve tё tjera aziatike, një rritje tё konsiderueshme ose do tё zgjeronte eksportet e tyre në kurriz të prodhuesit kinez. Kjo mund të kënaqë fqinjët e Kinës, por kjo nuk do të apelohej për Prodhuesit kineze. Pse, atëherë, mund të lejojnë autoritetet kineze rritjen e  qëllimshme e tё shpejte tё huanit-t?
Ekzistojnë dy arsye themelore pse qeveria kineze mund të zgjedhë strategji tё tilla si: reduktimin e rrezikut tё portofolios dhe “frenimin” e inflacionit vendas. Konsiderojmë, së pari, shqetësimin e  autoriteteve për rreziqet e ardhshme si pasojё e portofolios sё letrave të huaja me vlerë (bonot). Portofoli ekzistues i Kinës ka një vlerё rreth $3trillion, bono dhe letrave të huaja me vlerё duke u ekspozuar kështu ndaj dy rreziqeve konkrete: Inflacionin në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë dhe një zhvlerësimi tё shpejtë tё dollarit kundrejt euros dhe monedhave të tjera. Inflacioni në SHBA dhe Evropë do të zvogëlojë vlerën blerëse të bonove tё dollarit ose euro- bonove. Kina do tё vazhdojë tё posedojë shuma tё mëdha nё dollarë apo euro, por ato dollarë dhe euro do të blejnë sasi mё tё vogla “produktesh” në tregun botëror. Edhe nëse nuk ka pasur rritje në normat e inflacionit, një rënie e mprehtë në vlerën relative tё dollarit kundrejt euros dhe monedhave të tjera të huaja, do të reduktonte vlerat e tij në blerjen e produkteve evropiane dhe produkteve të tjera. Kina me tё drejtë  mund të shqetësohet për këtë, duke parë edhe  rënien e dollarit nё 10% me euron, krahasuar me vitin e kaluar dhe shumë më tepër ndaj monedhave të tjera. 
 E vetmja mënyrë për Kinën  të reduktoje këto rreziqe është  tё zvogëlojë sasinë e valutës së huaj e te letrave me vlerë që ajo zotëron. Por Kina nuk mund të zvogëloje volumin e bonove të tilla, ndërsa është  duke drejtuar një tepricë tё madhe aktuale të llogarisë.  Në 12 muajt e fundit, Kina ka një bilanc të llogarisë aktuale prej gati $ 300billion, e cila duhet ti shtohet në aksioneve ekzistuese të Kinës tё letrave me vlerë në dollarë, euro, dhe monedha të tjera të huaja.
Arsyeja e dytë pse liderët politikë të Kinës mund të favorizojnë një huanit më të fortё është reduktimi i  normën sё brendshme tё inflacionit Kinez. Një huan  i fortë ul koston për konsumatorët kinezë dhe firmat kineze tё produkteve të importuara, nëse koston e “shpreh” në huan. Një fuçi  nafte mund të kushtojë ende 90 $, por sjell  një rritje  prej10% kur e këmben ne huan dhe e ul çmimin me 10%. Ulja e kostos së importeve është e rëndësishme sepse Kina importon një diapazon mallrash konsumi, pajisjeje, dhe materiale tё lёndёs sё parё. Aktualisht , totali vjetor i importeve kineze arrin ne 1.4 trillion $ ose përafërsisht 40% e GDP-sё aktuale. 
Një huan i fortë do të reduktojë mё me efikasitet presionin e kërkesës më të gjerë, sesa vetё politikat e tanishme të rritjes së normave të interesit. Kjo do të jetë edhe më tё rëndësishme në të ardhmen, kur Kina “tё fusë nё punё”  planin e saj nё rritjen e shpenzimeve te brendshme. Një qëllim kryesor i paraqitur kohët e fundit është edhe Plani 5-vjeçar,si synim  rritjen e të ardhurave familjare dhe shpenzimeve tё konsumit në një normë më të shpejtë se ajo e rritjes së GDP-së. Kombinimi i rritjes më të shpejtë tё  shpenzimeve bruto duke marrë parasysh edhe nivelin ekzistues tё eksporteve, do ti shkaktojë kinës  bllokimin e prodhimit dhe “tendosje” nё kapacitet, duke çuar në një  rritje të shpejtë  tё çmimet tё produkteve vendase. Për ti” bёrё vend” rritjes së shpenzimeve të konsumit kërkohet reduktimi i eksporteve, duke i lejuar monedhës të vlerësohet.
Duke ju rikthyer rezultateve tё  vitit tё kaluar, vëmë re se  rritja prej 6% në normën e  këmbimit tё huanit – dollar, mund të kuptohet fare mirë si  një  rritje relative në koston e mallrave kineze për blerësit Amerikanë dhe kjo vjen për shkak të ndryshimeve në normat e inflacionit tё brendshëm. Çmimet për Konsumatorin kinez u rritën me 6,5% gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që çmimet e konsumit tё SHBA-ve u rritën vetëm rreth 3,5%. Kjo 3% diferencë të thotë se Inflacioni i”vërtetë” , pra kursi i këmbimit huani- dollar u rrit me 9% gjatë vitit të kaluar (P.sh., 6% vlerësimi nominale plus 3% -in e diferencës së inflacionit.) Edhe pse kjo është mënyra se si qeveritë llogarisin kursit real të këmbimit pra  ndryshimin, ajo padyshim mbi deklaron ndryshimin relativ për çmimet e  produkteve që amerikanët blenë nga Kina, për shkak se rritja e inflacionit  kinez u shkaktua nga rritja e çmimeve nё strehime, perime dhe  prodhimeve tё vendit, tё  pa eksportueshme. Çmimet e produkteve kineze nё huan, të cilat eksportohen në SHBA mund edhe  ë mos kenё pësuar  rritje. Kursi i këmbimit huanit-dollar është, sigurisht, vetëm një pjesë e tregimit të asaj që i jep shtytje  konkurrencës tregtare të Kinës. Ndërsa huani është rritur në krahasim me dollarin, dollari ka rënë kundrejt monedhave të tjera kryesore. Rënia prej 10%  e dollarit në krahasim me euron gjatë 12 muajve të fundit nënkupton që huani është  relativisht rreth 4% me poshtë  në krahasim me euron. Franga zvicerane është rritur me  më shumë se 40% ndaj dollarit dhe për këtë arsye më shumë se 30% kundër huanit. Duke parë klasifikimin e plotë të vendeve me të cilat Kina tregton, na le te nënkuptojmë  se vlera e përgjithshme e huani ndoshta ka pësuar një rënie gjatё 12 muajve tё fundit. Ka shumё mundësi qё  Dollari të vazhdojë në rënie, në krahasim me euron dhe monedhave tё tjera gjatë disa viteve  nё vijim. Si rezultat, kinezёt do të jenë në gjendje për të lejuar një rritje tё  ndjeshme tё huanit kundrejt dollarit, në qoftë se ata duan të rrisin vlerën e saj globale, me qëllim uljen e  rrezikut nё portofolion kinez  dhe frenimin e presioneve inflacioniste.

*Martin Feldstein, Profesor Ekonomie ne Universitetin e Harvardit
Marrë nga rrjeti Project-Syndicate.

Posted August 25, 2011 by radiofocus in Shtypi i huaj

10 vjet nga 11 Shtator 2001, Al-Kaeda është përthyer, dhe jo thyer   Leave a comment

Nga David Ignatus

Zyrtarë të qeverisë i referohen asaj qetësisht si “SSE”, ose Siti i Ndjeshëm i Shfrytëzimit. Ky është mandati i tyre jo korrekt për vendin e fshehtë të provave që ka marrë me vete përbërja e Osama bin Ladenit natën që u vra lideri i Al Kaedës.
Në përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 disa javë më pas, është e mundur që të përdoren këto prova për të skicuar një portret të gjallë të Al Kaedës, duke vizatuar në më shumë se 100 kompjuterë pajisjet e depove, duke përfshirë mënyrat e gishtit të madh, DVD-të dhe CD-të dhe më shumë se një duzinë kompjuterësh ose hard disqe – të gjitha të mbledhura gjatë bastisjes së 2 majit.
Zyrtarët amerikanë thonë se dalin në shesh tre tema të fuqishme nga leximi i këtyre fileve, shumica e të cilëve ishin komunikime ndërmjet Bin Ladenit dhe zëvendësit të tij të lartë Atiyah Abd al-Rahman. Në të vërtetë, sepse Atiyah i Libisë (i cili njihet prej analistëve me emrin e tij të parë), është lidhja kyçe me botën e jashtme, zyrtarët e shihnin atë si pasardhësin më të rëndësishëm se pasardhësin e Bin Ladenit, Ayman Al Zawahiri.
Theksojmë: 1-    Bin Ladeni deri ditën e vdekjes së tij ruajti një pasion për të nisur sulme të rëndësishme kundër Shteteve të Bashkuara, të lidhura në mënyrë ideale me 10 vjetorin e 11 shtatorit të vitit 2001. Ai dhe Atiyah komunikonin shpesh se kush mund ta kryente një sulm të tillë, me Atiyah që propozonte emra dhe Bin Ladeni i refuzonte ato. Bin Ladeni po kërkonte akoma për një sulm ndryshe të historisë, me objektiva të mëdha ekonomike – që do të ballafaqoheshin ose do të tejkalonin ndikimin e 11 shtatorit 2001. Nga ana tjetër, Zawahiri favorizonte një strategji oportuniste të sulmeve të vogla. 2- Bin ladeni ishte një shef ekzekutiv, me rol në planifikimin e operacioneve dhe në vendimet e personelit, në mënyrë më të saktë se krerët e lartë që analistët e Shteteve të Bashkuara kishin hamendësuar. Zawahiri, të cilët analistët e kishin imagjinuar si liderin e çdo dite, ishte në të vërtetë mjaft i izoluar – dhe ashtu mbeti, pavarësisht dhjetëra komunikimeve të këtij viti. Zawahiri vuan nga mosbesimi midis fraksioneve të tij egjiptiane të Al Kaedës dhe operativave të tjerë, të tillë si Atiyah. 3- Bin Ladeni vuante keq nga sulmet e telekomanduara të bazës së Al Kaedës në zonat fisnore të Pakistanit. Ai e quante këtë “luftë inteligjente” dhe tha se ajo ishte “e vetmja armë që po i dëmtonte”. Ai u ankua se kuadrot e tij nuk mund të stërviteshin në zonat fisnore, nuk mund të komunikonin, nuk mund të udhëtonin lehtësisht dhe nuk mund të nxirrnin rekrutë të rinj. Bin Ladeni diskutoi për shpërnguljen e bazës së Al Kaedës në një zonë tjetër, por ai kurrë nuk e bëri këtë.
Analistët nuk gjetën në material asgjë për t’i sugjeruar qeverisë së Pakistanit bashkëpunim në praninë e Bin Ladenit në Abbottabad dhe është e qartë se ai ishte paranojak  se do ta gjenin e do ta vrisnin: Ai urdhëroi vartësit e tij që të kufizonin lëvizjet për të ndihmuar në ruajtjen e asaj që ka mbetur nga Al Kaeda në Pakistan. Frika se mos zbulohej ishte objekt i bisedës ndërmjet Bin Ladenit, Atiyah, Zawahiri dhe të tjerëve.
Bin Ladeni shqetësohej gjithashtu se pozita e Al Kaedës në radhët e myslimanëve po venitej dhe se Perëndimi kishte arritur pjesërisht të distanconte mesazhet e Al Kaedës nga vlerat thelbësore islamike.
Të shqetësuar në lidhje me këtë bazë të shkatërruar, Bin Ladeni u konsultua me bashkëpunëtorët në veri të Afrikës dhe në Jemen për t’u përpjekur përsëri në zhvillimin e një shteti islamik lokal ekstremist, në mënyrë që të sulmonin Shtetet e Bashkuara dhe interesat e saj.
Frika se taktikat ekstreme të Al Kaedës po digjeshin dhe po tjetërsonin myslimanët, ishte dhe tema e një mesazhi të shquar që Atiyah i dërgoi në vitin 2005 Abu Musab al-Zarqawit, shefit vrasës të Al Kaedës në Irak. Në këtë dokument, që u bë publik para 5 vitesh nga Shtetet e Bashkuara, Atiyah paralajmëronte se nxitja e dhunës Su’uni-Shi’ite (e cila prodhohej nga Zarqawi) ishte potencialisht shkatërruese.
Al Kaeda që shfaqet në këto dokumente është një grup i çorientuar dhe i dëmtuar rëndë. Vdekja e Ilyas Kashmirit më 3 qershor, nga një sulm i telekomanduar, tregon se vazhdimësia e organizatës është mjaft e dobët. Kashmiri ishte një operator i pamëshirshëm që planifikoi sulmet e Mumbait në vitin 2008, të cilët vranë 166 njerëz dhe dimrin e kaluar po komplotonte sulme vdekjeprurëse në Europë, të cilët u ndaluan vetëm në sajë të një lufte agresive të kundër terrorizmit. (Shërbimet e Sigurisë nga Europa dhe Turqia arrestuan rreth 20 operativë të Kashmirit përpara se ata të mund të kryenin këto sulme).
Kur zyrtarët e lartë amerikanë të bëjnë një përmbledhje të pikëpamjeve të tyre për Al Kaedën, në prag të 10 vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, ata do të përshkruajnë një organizatë që është rrëzuar, por që sigurisht nuk përjashtohet mundësia që ajo të godasë përsëri. Ata nuk janë në dijeni të ndonjë komploti të veçantë kundër Shteteve të Bashkuara për 10 vitet e ardhshme, por ata po kërkojnë e po kontrollojnë çdo kanal për të cilin janë në dijeni. Ata e pranojnë se më e rrezikshme është pikërisht ajo që ne nuk njohim rreth Al Kaedës. 
Marrë nga Washington Post

Posted August 25, 2011 by radiofocus in Shtypi i huaj

Vojvodina hap zyrë në Bruksel, alarm në Beograd për ambiciet separatiste të Novi Sadit   Leave a comment

“Southeast European Times”

Shpërthejnë polemikat lidhur me zyrën e Vojvodinës në Bruksel. Krahina veriore e Serbisë, e banuar në shumicë nga hungarezë etnikë, do të përurojë zyrën e saj të Brukselit brenda disa javësh, veprim që partitë nacionaliste në Beograd e shohin si një hap drejt separatizmit 
Zyrtarët e Vojvodinës thonë se kanë shpresa të mëdha lidhur me hapjen e një zyre në Bruksel në mes të tetorit, kryesisht për të patur mundësinë e përdorimit të fondeve europianë. Ata thonë se kjo është një praktikë normale europiane dhe mbi 300 rajone nga shtete të ndryshëm europianë kanë zyra në Bruksel. “Eshtë shumë e rëndësishme që jemi të pranishëm në vendin ku bëhen vendimet. Duke hapur një zyrë në Bruksel, shpresojmë të kemi mundësinë e përdorimit më të kollajtë të projekteve europianë dhe mundësi më të mira për investimin e huaj në Vojvodinë,” i tha SETimes kreu i zyrës së ardhshme në Bruksel Predrag Novikov. E gjithë Serbia mund të përfitojë nga kjo, shtoi ai.
Veprimi ka shkaktuar një alarm në Serbi dhe ka çuar në deklarata se veprimi është pjesë e prirjeve separatistëve të partive të ndryshme të Vojvodinës dhe udhëheqësve krahinorë. Partitë e krahut të djathtë protestuan më parë ndaj statusit të Vojvodinës, duke pretenduar se i la marrëdhëniet mes Vojvodinës dhe qeverisë qendrore shumë të shlirta. Njoftimi rreth zyrës së Brukselit ndezi veçanërisht reagime akuzues. Partia Demokratike e Serbisë (SDD) në Vojvodinë pretendoi se ka parti dhe njerëz brenda administratës së Vojvodinës që “propagandojnë separatizëm”. Janë ata që kanë këmbëngulur më shumë në hapjen e zyrës së Brukselit, i tha SETimes përfaqësuesi i DSS-së Borko Iliç. I pyetur pse DSS nuk kishte asnjë problem me faktin se qytetet serbë të Nishit dhe Kragujevacit kanë zyra në Bruksel, por kundërshton atë të Vojvodinës, Iliçi u përgjegj se autoritetet e Vojvodinës kishin kërkuar status të posaçëm për përfaqësuesit e tyre, si dhe pasaporta diplomatike. “Gjithashtu, askund në kontratën mbi hapjen e zyrës së Vojvodinës nuk përmendet se përfaqësuesit krahinorë kanë një detyrim të përfaqësojnë një vijë politike në përputhje me qeverinë qendrore (kombëtare)”, tha Iliçi. Kundërshtarët e zyrës së Vojvodinës në Bruksel vënë në dukje një deklaratë nga ish-Ambasadori gjerman në Beograd Andreas Zobel mbi Kosovën, që dha një arsye për të qenë të shqetësuar. Më 2007, Zobeli tha se “këmbëngulja që Kosovë të jetë pjesë e Serbisë do të destabilizojë Serbinë, pas së cilës mund të ngrihet gjithashtu çështja e Vojvodinës”. Novikovi i hodhi poshtë të gjitha akuzat e tendencave separatiste. “Vojvodina nuk do të rrezikojë shtetin e Serbisë me një veprim të vetëm. Zyra jonë do të vendoset në ambasadën serbe në Bruksel dhe përfaqësuesit do të kenë pasaporta diplomatike serbe,” tha ai. Novikovi përsëriti gjithashtu se arsyet për hapjen e zyrës janë më së shumti ekonomike. “Në fillim të punës sonë, ne do të kemi vetëm dy zyrtarë në Bruksel. Do të rrisim numrin e përfaqësuesve vetëm nëse zyra sjell para në Vojvodinë dhe Serbi. Kohët e fundit, fituam një projekt të shkatërrimit të bimës ambrosia me vlerë 400,000 euro dhe vetëm me këtë projekt kemi paguar për të gjithë vitin e parë të punës së zyrës,” tha Novikovi. Aleksandar Popov, përfaqësues i OJQ-së Qendra për Rajonalizmin, tha se kundërshtimi ndaj zyrës së Vojvodinës është rezultat i frikës së shkaktuar nga shpërbërja e shtetit gjatë dekadave të mëparshme. “Sot çdo ndërmarrje e madhe ka një zyrë në Bruksel, pra pse të mos e ketë Vojvodina?” i tha ai SETimes. Popovi shpjegoi se termi “rajon” në Europë lejon që disa zona të shteteve të ndryshëm të shprehin karakteristikat e tyre të posaçme dhe të jenë më të pavarur financiarisht nga qeveria qendrore. “Do të ishte e rëndësishme që kjo të zbatohej gjithashtu në Serbi. Kështu siç është, pjesë të mëdha të Serbisë praktikisht mbeten të zbrazëta, ndërsa njerëzit rendin për në qytete më të mëdhenj, kryesisht Beogradi dhe Novi Sadi”, tha Popovi. 

Posted August 24, 2011 by radiofocus in Shtypi i huaj

Çfarë fëmijësh po edukojmë?   Leave a comment

AGIM BAÇI

Nisja e çdo viti shkollor gjithnjë më sjell ndër mend një pyetje: Çfarë po bëjmë për edukimin e fëmijëve? E, fill pas kësaj pyetjeje, të tjera qëndrojnë më pas, për të marrë më shumë se sa një përgjigje nga ne të gjithë: A janë shkollat e sotme vendet e vetme ku duhet të besojmë edukimin? Cila është përgjegjësia prindërore? Po institucione të tjera, a janë ndërmjetëse, apo duhet të besojmë vetëm te mësuesi? A jemi ne të aftë t’u përgjigjemi sfidave që na krijojnë fëmijët? A mundemi të konkurrojmë botën e televizionit, që është kaq e pranishme në jetën e fëmijëve, apo llojet e informacionit që ka sot çdo fëmijë? A mund ta përballojë këtë sfidë vetëm mësuesi?

Afërmendsh që shumica e prindërve shqetësohet për të gjetur zgjidhje për këto dilema. Por duket se të gjitha këto pikëpyetje i kalon një dyzim edhe më i madh: Çfarë t’u themi fëmijëve për realitetin? Janë jo të paktë prindërit që e shprehin hapur frikën se mos ndoshta vetëm duke mësuar dhe shumë i edukuar, fëmija nuk do të jetë i zoti të përballojë sfida të vështira në këtë jetë që është bërë e ashpër dhe e ftohtë, dhe ku çdo ditë debati për t’u bërë sa më i pasur zëvendëson atë për vlerat, e ku duket se më i forti është më i rëndësishëm se më i zgjuari.
Kjo frikë, lidhur me atë që ndodh përditë përpara rritjes së fëmijëve tanë, është një sfidë emergjente. Askush nga prindërit nuk do që të ndihet fajtor se nuk i ka treguar fëmijës së tij se si të jetë i vrazhdë me të tjerët. Dhe kjo e fut çdo prind në hullinë e së pazakonshmes, pasi është gati e pamundur ta edukosh një fëmijë që edhe të jetë më i miri dhe më i edukuari me shokët dhe në shkollë apo në lagjet tona, e ndërkohë të jetë edhe më i forti, duke menduar që vetëm të mos ia hedhin në lagje apo në shkollë me bashkëmoshatarët.
Natyrisht, ne nuk mundemi t’ua fshehim fëmijëve tanë atë që ndodh jashtë shtëpisë, me fqinjët tanë, me të afërmit tanë, me shokët e shkollës. Por a do të ishte vetëm tregimi për atë që ndodh rruga më e mirë?
Kam frikë se mjaft prindër do të më akuzonin se unë po flas teorikisht, se është e pamundur që tashmë të mendosh vetëm për edukim, pa e përgatitur që të jetë edhe i fortë kur e sulmojnë, edhe i ashpër me ata që nuk e duan. Unë besoj se kjo mendësi është fatale për të ardhmen e një fëmije. Sepse pavarësisht asaj që ndodh, unë besoj se dëshira e shumë njerëzve për një jetë më me shumë dije, më me shumë mirësi dhe më me shumë miq është më e madhe se sa t’i përshtaten realitetit, i cili, gjithsesi, nuk duhet injoruar. Dhe nëse presim ndonjë ndryshim, këtë s’mund ta lëmë as në dorë të fatit, e as në dorë të vetëm mësuesit, pasi do të ishte e pamundur që një mësues të ishte edukator i vetëm i fëmijëve tanë.
Ndaj, nëse presim një të nesërme ndryshe, duhet ta mbjellim atë çdo ditë. Siç thonë kinezët në një fjalë të urtë: “Nëse mendon për vitin e ardhshëm, duhet të mbjellësh grurë; nëse mendon për pas 20 vitesh, duhet të edukosh fëmijët”.
***
Dy vite me parë, kur im bir nisi klasën e parë, i drejtova një letër publike atij (botuar te “Panorama”), ku i kërkoja të mësohej më fëmijët ndryshe nga ai, që të mësonte për të qenë një qytetar i mirë dhe që t’i admironte vetëm ata që ndihmonin dikë, e jo ata që rrëzonin dikë. Atë ditë kisha telefonata apo mesazhe pa fund, për të mos përmendur e-mail-et që vijuan disa ditë. Të gjithë ata që komunikuan më bënë të kuptoj se ata që tentojnë t’u flasin fëmijëve për të ardhmen si qytetarë të mirë, si njerëz të dobishëm, pa pasur frikë nga sfidat që na jep realiteti, nuk janë të paktë. Fundi i fundit, fëmijët tanë do të jetojnë këtu, në këtë vend, me bashkëmoshatarët e tyre, ndaj dhe duhet të shqetësohemi për atë që mendojnë ata bashkërisht. Dhe të gjithë kemi përgjegjësinë për t’u thënë shumë të vërteta për jetën dhe këtë vend, për t’i treguar se të qenit ndryshe nga të tjerët është pasuri e kësaj bote dhe se duke qenë ndryshe, plotësojmë njëri-tjetrin.
Ka shumë prindër, të cilëve u duket e drejtë që të kujdesen vetëm për fëmijët e tyre, duke mos u shqetësuar aspak për atë që duhet të bëjnë ata vetë, e më pas edhe fëmijët e tyre në shoqëri. Por, për aq kohë sa ne nuk jemi kujdesur për fqinjët, për bashkëmoshatarët e fëmijëve tanë, ne në fakt nuk jemi kujdesur as për vetë fëmijët tanë, të cilët do t’i kenë udhëtarët e tyre në jetë për bashkëshortë, kolegë apo miq.
Shumë fëmijë sot kanë informacione pa fund. Çdo informacion është si një tullë – por ata kanë nevojë për një arkitekt që t’u tregojë se si mund të vendosen këto tulla që të jenë të dobishme për të, e jo këto tulla ta zënë poshtë, pa mundur të dalë kurrë në krye. Ndaj, sa më parë nevojitet t’u japim përgjigje disa pyetjeve që kanë të bëjnë me të ardhmen e fëmijëve tanë, e ku s’mundet asesi të besojmë se vetëm mësuesi mund të bëjë gjithçka, por duhet ta ndërtojmë ne të gjithë, pak nga pak, çdo ditë. Dhe nuk ka asgjë t’ua shpjegojmë fëmijëve tanë realitetin, se nga çfarë duhet të ruhen, por është më mirë t’u themi se çfarë mund të bëjnë më mirë, se si mund të jenë më të dobishëm. E, nëse vendosim të gjithë nga një tullë në këtë drejtim, mund të besojmë pa frikë se në fund “banesa” do të jetë e madhe dhe për të gjithë…
Nëse nuk e bëjmë këtë hap gjatë rritjes së tyre, nuk kemi pse të presim të na falënderojnë apo të na kuptojnë atëherë kur na duhet të bashkëbisedojmë me ta.

Posted August 24, 2011 by radiofocus in Opinione

BEHAR GJOKA – ATDHEU ËSHTË DJEPI DHE VARRI KU SHËTISIM   Leave a comment

Nga: Mustafa Nano
Behar Gjoka

Flet për konceptet e tij të jetës në rubrikën e MAPO-s studiuesi i letërsisë Behar Gjoka. Si e shikon ai pasurinë e gjuhës shqipe, kulturën e saj dhe nga ana tjetër shtjellon konceptet e ndryshme për jetën, shoqërinë dhe historinë


1 – Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
Zoti për mua ekziston, por në momentin që kërkojmë që ta shohim ngjet shkërbimi i beftë i tij në paprani. Nëse beson, Zoti ekziston, pra nuk mund të vihet në dyshim qenësia e tij.

2 – Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
Gjuha shqipe duket e varfër, por në fakt nuk është ashtu, po të hedhësh një vështrim në kohën mitike, pra pellazgjike që vijon të endet si një pluhur kozmik nëpër gjuhët e tjera, por edhe në kohën historike, pra me Pal Engjullin dhe Formulën e Pagëzimit të vitit 1462.
Edhe gjuha shqipe është një sistem, që shpalohet jo simbas një rregulli të caktuara.

3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
Njerëzit lindin të mirë, por në varësi të rrethanave të ndryshme, ose mbeten të tillë përjetësisht, ose rrugëtojnë nëpër shtigje të çuditshme, në varësi të fatit… Në betejën midis tyre, zakonisht e keqja mundet nga vetvetja dhe del në pah e mira.

4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?
Mendoj se po, nëse fëmija e mendon si një përvojë që i shërben, pavarësisht nga fakti se është djalë apo vajzë, e mbi të gjitha duke e parë këtë si një moment ku edhe provon se po i dalin krahët që përmend Markesi, në mënyrë që ta nisë fluturimin e shumëdëshiruar.

5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
Ka diçka midis legjendës dhe realitetit, megjithatë është një fakt i pranishëm, i cili ruan disa ekuilibre të brishta të shoqërisë shqiptare, që nëse zënë e prishen me regjistrime specifike fetare, enkas për shqiptarët, ka më shumë gjasa që ta humbasë kuptimin si e tillë.

6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
Padyshim, madje shoh më shumë nga sa mendohet, në troje, doke dhe mentalitet. Mbi të gjitha është uniteti gjuhësor, që edhe mbas një shekulli ndarjesh me kufij të pakalueshëm politikë, gjuha na zbulohet si një limfë përbashkuese e fatit të përbashkët dhe të pandarë të tyre, si dy pjesë thelbësore të trojeve dhe të kombit shqiptar.

7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
Vajza… Dikur kam patur fatin të luaja në dramën Çështja e Blertës, të dramaturgut Fadil Kraja. Dhe kur erdhi në jetë në vitin 1993 i vura emrin asaj… 

8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
Vrasja është absurde në çdo lloji sistemi, ndërsa në demokraci është e patolerueshme. Jeta nuk merret për asnjë arsye, aq më pak për shkaqe shtetërore, pra pushtetmarrëse apo pushtetmbajtëse.

9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
Nga leximet e disa librave pas viteve 1990, më rezulton se ka bërë një grusht shteti, në kuptimin se ka rrëzuar me dhunë dhe jo me mjete demokratike, një pushtet legjitim të dalë nga votimet. Figura e Nolit mbetet në histori për autoqefalinë e kishës ortodokse, si dhe për vlerat që solli në kulturën dhe letërsinë shqipe.

10. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
Për mua ka qenë luftë çlirimtare dhe civile, porse caqet e tyre, se ku fillon dhe ku mbaron ndarja, është e vështirë që të vendosen, aq më tepër që historianët tanë, të ndarë në të majtë dhe të djathtë, më tepër kanë punuar për të mos hedhur dritë mbi faktet siç ndodhën atëherë, e jo si u treguan nga fitimtarët e pushtetit monist.

11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
Realiteti bardhë e zi po na lë peng i kohës që lamë pas, e tashmë i përmbysur në zi dhe bardhë, por që sërish në fakt shpesh herë na ngatërrohet nëpër këmbë, por shkolla dhe arsimi gjeti një shtrirje të madhe, natyrisht së bashku me politizimin e jashtëzakonshëm.

12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?
Kush dha jetën për liri, ballist apo partizan, ka kryer një akt të shenjtë… Ideali kombëtar është më i madh se internacionalja e idologjisë utopike të komunizmit, pra në atë kohë nuk kishe asnjë mundësi të ishe asnjanës.

13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
Për mua, në fakt është i kuptueshëm dhe i mirëkuptueshëm, gjithnjë e lidhur ngushtësisht me atmosferën e luftës, jo si pacifist, ku nuk kishte shumë argumenta, që shqiptarët të hynin në një betejë shkatërrimtare me Italinë e Musolinit.

14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
Pamëdyshje që duhet përkthyer, madje nuk arrijë ta kuptojë vonesën e këtyre viteve. Botës nuk i vjen e keqja nga librat, por nga mosdija se çfarë ngjet në këtë rruzullim, që më shumë se sa gjithkund e gjejmë të materializuara nëpër libra.

15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
Gjyshi, i cili me rrëfimet fantastike, si dhe me mënyrën e çuditshme se si tregonte më nxiti që të lidhesha me letërsinë…

16. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
Një greminë ku u rrokullis shteti, pushteti dhe një pjesë e madhe e popullit shqiptar, vetëm në disa sekonda, si dhe një kohë pa kohë, që ka lënë armët në duart e njerëzve dhe nuk ka ditë të këtyre moteve, që të mos lodrohet me to në mënyrë të pakuptueshme. 

17. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
Njeriu është qenia e vetme me arsye, por që e ka të pranishme edhe pjesën e instikteve. Mos e provofshim… Dy jetë janë më shumë se një, jam rrekur ta shtjelloj në një tregim me titull Një ditë në vitin 1996… Vrasja sjellë vetëm zi dhe tmerr dhe shkatërron çdo rrem jete.

18. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
Gjeografikisht dhe historikisht po, ndonëse nga pikëpamjet politike dhe ekonomike ka aspekte të një dallimi të prekshëm, e sidomos këto bëhen edhe më të dukshme në mënyrën e jetesës së tanishme, ku sërish jemi larg standardeve të kontinentit, që në fakt e përlindi gadishulli ynë.
19. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?
Në shembjen e murit të Berlinit, sepse aty njerëzia dhe koha vuri re humnerën e një ndarje të padrejtë dhe shkatërrimtare të vlerave dhe antivlerave njerëzore, që ngjau në shekullin e ekstremeve.

20. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
Me Ahmet Zogun, mbretin e shqiptarëve, për të kuptuar se si arriti të bëhej ministër, kryeministër, por edhe të jepte dorëheqje disa herë, si dhe të bëhej edhe mbret në këtë hapësirë që zakonisht i kapërdinë bijtë e vetë.
21: Cili është libri që po lexoni?
Do të habiteni, por është përmbledhja poetike Vargjet e Lira të Migjenit. Në fakt po e rilexoj, sepse po shkruaj një libër studimor, mbi tekstet dhe formësimin e letrares së autorit, të titulluar Migjeni – prijës i modernizmit.

22. Cili komb europian ju ndjellë më shumë me historinë e me kulturën e vet?
Gjermania, për letërsinë dhe artin, për kontributin e shkencëtarëve gjermanë për hedhjen e themeleve të shkencës së albanologjisë, për vitalitetin dhe aftësinë përlindëse, që sidomos mbas Luftës së Dytë Botërore, ia mbërriti të dalë nga tuneli sërish, e të jetë në avangard [pararojë] të zhvillimit dhe prosperitetit të kontinentit.

23. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homeseksual(e)?
Nuk do të ndjehasha fort mirë, por dera do të ishte e hapur, sepse ku tjetër mundet të trokas fëmija.

24. Keni frikë nga vdekja?
Edhe po, edhe jo. Hëm, dikur në vitin 2006, në operacionin që kam bërë në spitalin ushtarak, sikur e kam takur për disa sekonda…

25. Ç’është Atdheu?
Djepi dhe varri, pra është autostrada ku shetisim për aq sa mundemi në këtë jetë, ndërkaq është edhe hija që na çapon hapat kudoqë shkojmë.

Posted August 24, 2011 by radiofocus in Intervista

Analist vs. gazetar   Leave a comment



Endri Xhafo

– Refleksion mbi një anomali të tregut mediatik shqiptar –


Deri në vitin 1998 në Shqipëri kishte vetëm “gazetarë”. Editorialistët ishin gazetarë, por edhe pronarët e gazetave e konsideronin veten gazetarë (si p.sh. emblematiku Nikollë Lesi). Kurse “analistët”, siç i njohim ne sot, janë një produkt sa evolutiv aq edhe artificial i tregut mediatik, shfaqur aty nga fundi i viteve ’90.
Në botë, analistët janë dy llojesh: analistë të shtypit dhe analistë shkencorë.
Analistët e shtypit janë reporterë me përvojë të gjatë në terren, që këtë përvojë disavjeçare e mbështesin edhe mbi një formim solid akademik, që shkon deri në gradën e Masterit; si të tillë, bashkë me reporterët, prezantuesit e lajmeve (anchor), redaktorët dhe editorialistët, ata janë një nënkategori e gazetarit. Në Francë për shembull, një nga specialistët më të mirë të marrëdhënieve franko-gjermane është gazetari Daniel Vernet, ish-korrespondent i “Le Monde” në Bon, autor i disa librave në vijim.
Analistët shkencorë, nga ana e tyre, janë universitarë në origjinë, të specializuar gjatë kërkimeve të tyre doktorale në një fushë të caktuar, – si p.sh. konfliktet tribale në Irak, – që punësohen në vijim në universitete, në qendra kërkimesh shkencore apo pranë dikastereve të ndryshme. Autorë librash, ata u ofrojnë ekspertizën e tyre televizioneve, sidomos gjatë konflikteve në zona të largëta të globit.
Janë edhe analistët financiarë, ata që tronditin botën me vlerësime për ekonomitë kombëtare të shteteve të caktuara, si p.sh. David T. Beers i agjencisë së vlerësimit “Standard & Poor’s”, e cila në fillim të muajit retrogradoi notën e borxhit amerikan, duke shkaktuar një zallamahi në bursa. Por këta janë më të rezervuar sa u takon mediave.
Këto pra janë mënyrat “tradicionale” se si mund të bëhesh “analist”, i cili në botën e mediave është një emërtim konvencional dhe jo profesional. Ndaj përgjithësisht analistët e shtypit janë thjesht “gazetarë”, sipas emërtimit të zanatit. Sepse të jesh “gazetar” profesionist (këtu hyjnë edhe gazetarët freelance) në shumë vende perëndimore implikon marrjen e një karte profesionale të gazetarit, sipas disa kushteve strikte, e cila në vende të ndryshme jepet ose nga organizma të profesionit ose nga institucionet shtetërore.
Në Shqipëri, në vitet ’90, të qenët gazetar ishte krenari dhe prestigj. Në profesion kishin punuar emra të tillë si Carlo Bollino, Reis Çiço, Zamira Koleci, Briseida Mema, Vladimir Prela, Benet Koleka, Fatos Baxhaku, Merita Dhimgjoka, Ben Blushi, Vjollca Vokshi, Blendi Fevziu, Armand Shkullaku, Andi Bushati, Edmond Laçi, Aleksandër Furxhi, Ilir Kadia, Lutfi Dervishi, Iris Luarasi, Sokol Balla, Arben Muka, Aleksandër Çipa, Armand Mero, Ilirjan Agolli etj., etj. Emrat e “rinj” të dalë në vitet ’90 ishin përpjekur për të lënë pas atë lloj gazetarie-propagandë dhe patetike të kohës së komunizmit, duke vendosur pa dyshim disa standarde më perëndimore në raportimin e lajmit. Puna e shumë prej tyre ishte një betejë sa për mbijetesën e shtypit edhe për lirinë e shprehjes. Sepse, pavarësisht ndryshimit të sistemit, një autoritarizëm mbytës rrodhi në tërë hierarkinë e shtetit, në emër, paradoksalisht, të të njëjtave parime për të cilat kishin luftuar studentët në dhjetor ’90.
Pra konflikti pushtet-shtyp në vitet ’90 ishte përballja e një pushteti politik, i mësuar deri në atë kohë të ishte absolut, dhe një pushteti mediatik, deri atëherë i mohuar, në kërkim të identitetit dhe forcës së vet. Në këto kushte, kur shtypi donte të ishte një “qen roje” i qeverisë, – dhe këtë nga keqdashja e qëllimtë e ndan vetëm një fije floku, – pushteti kishte vënë pengesa, me argumentin se po mbronte interesat e shumicës. Mirëpo, realiteti shqiptar tregoi se më shumë se interesin publik, pushteti synoi të mbrojë interesat e veta, nëpërmjet famëkeqit “Ligj për Shtypin”, të 11 tetorit 1993. Ligji ishte mjaft i ashpër dhe shërbeu si alibi për të dënuar gazetarë, shpesh me akuza qesharake.
Por më 1998 kjo “moshë e artë” e shtypit po perëndonte dhe pesha specifike e tij po humbte terren në disfavor të radio-televizioneve private.
Po ashtu, disa gazetarë realizuan një kapërcim në politikë (Vladimir Prela, Ben Blushi, Skënder Minxhozi etj.), si diplomatë, zëdhënës apo këshilltarë të politikanëve deri dje në opozitë. Këto zhvillime në tregun mediatik sollën prurje të reja, që nuk kanë reshtur qysh atëherë (e rihapur më 1992, dega e gazetarisë nxori tre brezat e parë të gazetarëve me diplomë pikërisht në vitet ’96, ’97 e ’98).
Ky është edhe momenti i shfaqjes së “analistëve” shqiptarë. Mes tyre kishte disa ish-reporterë, – me disa vite përvojë profesionale dhe jetësore më shumë se gazetarët e rinj, që për t’u distancuar prej tyre u vetëquajtën “analistë”, – por edhe individë që nuk kishin punuar as edhe një ditë të vetme në media. Me një dress code (kostum + kravatë) që i përshtatej staturës së re, ata dallonin nga gazetarët e rinj, ndonjë i veshur edhe keq, që të tërë bashkë, si turma uniforme, në dukje pa individualitet, zhvendoseshin nga një konferencë shtypi në tjetrën, mes pluhurit, vapës dhe shiut të qytetit. Ndaj shumëkush synonte t’i shpëtonte kësaj përkatësie, që nuk ishte më ajo e dikurshmja. Ishte kohë e keqe të ishe gazetar, në kohën e artë të “analistëve”!
Në televizionet e hapur rishtas, – në ndryshim nga mega-produksionet e sotme të disa kanaleve të fuqishëm privatë, të tipit entertainement, – strukturat programore favorizonin, për arsye të kostove të ulëta, emisionet politike të tipit talk show (një drejtues – disa karrige), ku në ato fillesa, por shpesh edhe sot, debati nuk dallon shumë nga bisedat e lira në kafe. Më së shumti analizat ishin (dhe mbeten) komente, të tipit “unë  mendoj”. Nevoja e përhershme e këtyre emisioneve për të ftuar dhe detyrimi i individëve të njëjtë për shkruar edhe në shtyp, si pena të kontraktuara për një numër të caktuar artikujsh, sollën me kohën, nga njëra anë konsumimin e tyre (të paevitueshëm) dhe nga ana tjetër “polivalencën”.
E them me ironi “polivalencën”, sepse askush nuk mund të jetë njëherësh “analist” politik dhe specialist i urbanistikës, njohës i të drejtës kushtetuese dhe i arkitekturës, politolog dhe specialist i trashëgimisë kulturore. Ka vërtet një postulat në profesion, që thotë se “gazetari është specialist i asgjëje dhe njëkohësisht specialist i të gjithave”, por kjo nënkupton aftësinë e tij për të rrëmuar faktet dhe për t’i zbërthyer pastaj ato, mbështetur në përvojën dhe kulturën e tij të përgjithshme.
Ndërkohë që ky soj analistësh, duke mos qenë gazetarë, që lëndë të parë kanë pikërisht faktin, duke mos qenë as analistë shkencorë, të cilëve disiplina shkencore ua imponon shpluhurosjen e fakteve nga arkivat qindravjeçare, ky soj analistësh pra e shpërfill “faktin”. Analiza, si zhanër gazetaresk, mësohet në shkollë. Dhe është një qasje e fakteve të vjetra e të reja me qëllim arritjen e një konkluzioni. Konkluzioni është vetjak dhe si i tillë, i diskutueshëm. Por faktet janë të përbotshme.
Ky soj analistësh janë sot një fenomen. Aspekti artificial i këtij fenomeni është ndikuar edhe nga një vështirësi specifike me të cilën përballen mediat në Shqipëri: mungesa ose vetëmënjanimi nga debati publik i analistëve shkencorë dhe/ose specialistëve të mirëfilltë të fushave të caktuara. Konkretisht, është mjaft e vështirë, në mos ndonjëherë e pamundur, të gjesh dikë që të sjellë në faqet e gazetës apo në valët e radio-televizionit ekspertizën sa u takon për shembull ndryshimeve kushtetuese, ligjit për pushtetin gjyqësor, apo zgjedhjeve presidenciale amerikane. Ata që mund ta bënin këtë, ose i ndruhen etiketimit politik, ose janë pasivë. Atëherë mediat kthehen pa shumë zgjedhje nga analistët e përhershëm polivalentë.
Mirëpo ka disa kohë që mes publikut ka filluar të qarkullojë me humor një frazë e thënë në zhargonin e kryeqytetit: “Je bo si analistët, flet shumë dhe s’thu asigjo”. Koha, me sa duket, nuk po punon më për ta.
Për provë, figurat qendrore të TV Klan dhe TCH, pavarësisht nëse janë shefa, anchor apo drejtues emisionesh, vitet e fundit kanë rizbuluar kënaqësinë e të qenët “gazetar” aktiv. Në raste zgjedhjesh apo ngjarjesh të tjera të mëdha (p.sh. pavarësia e Kosovës), ata dalin rregullisht nga studiot, kapin mikrofonin dhe zbresin në terren. Ndonjë tjetër, si Minxhozi, që eksperienca e shkuar i jep tërë të drejtën ta konsiderojë veten analist të shtypit, në raste intervistash preferon strishën “kryeredaktor i revistës MAPO”. Edhe Mustafa Nano, një rast sui generis, pasi u end ca kohë nëpër emërtime “analist”, “editorialist”, “kolumnist” etj., së fundi, pas disa emisionesh televizive dhe aktivitetit si blogues, duket se po preferon emërtimin “gazetari Mustafa Nano”.
Ç’ndodh me ata që mbeten? Duke mos qenë ajka e inteligjencës shqiptare, shkrimet apo daljet e tyre televizive nuk kanë atë vlerë që kanë proporcionalisht tribunat e intelektualëve të spikatur në faqet e “The New York Times”, “Le Monde” apo “Corriere della Sera”. Një pjesë e tyre janë “bërë” analistë, sepse nuk mundën të bëhen dot gazetarë. Ndonjë tjetër beson vërtet te supremacia e sojit të tij. Një i tillë, burrë i mirë, por pak megaloman, e shprehu qartë këtë në një studio në TCH në zgjedhjet e fundit, kur tha se “analistët bëjnë atë që gazetarët s’e bëjnë dot”. Një pyetje e thjeshtë për të: Briseida Mema (AFP), e cila mund të kryqëzohet në terren me të birin gjithashtu gazetar, apo Benet Koleka (Reuters), Ilirjan Agolli e Armand Mero (VOA), Arben Muka (Deutsche Welle) apo Fatos Baxhaku (Shqip), të tërë këta emra të spikatur, me një përvojë jetësore të pasur, që për një zgjedhje vetjake nuk kanë reshtur për asnjë sekondë së qeni gazetarë, a nuk janë këta të aftë ta analizojnë aktualitetin?
Përbuzja dhe supremacia e pretenduar ndaj gazetarëve është arma e fundit që u ka mbetur “analistëve polivalentë”. Por, sikurse e shpjeguam edhe në fillim, gazetaria dhe analiza nuk janë të papajtueshme. Përkundrazi, analiza është zhanër gazetaresk, njësoj si edhe reportazhi! Kjo duhet ngulitur mirë! Analiza është shpërbërja e një të tëre në elementët e vet përbërës, për t’i përcaktuar ata elementë, për t’i klasifikuar e kuptuar. Analiza e vë aktualitetin në perspektivë dhe e ndihmon publikun për të kuptuar atë që është në lojë dhe mundësitë e zgjidhjes së çështjes. Sa prej të ashtuquajturave “analiza” e bëjnë këtë? Ndaj kur shkrimi nuk i nënshtrohet kësaj metode, më e ndershme është të dalë nën okelion “koment”.
Përfundimisht, anomalia në tërë këtë, qëndron te nëpërkëmbja që “antivlerat” e tregut i bëjnë profesionistit bazë, atij që mbart emrin e zanatit. Që gazetaria të rifitojë prestigjin e dikurshëm, nuk është problem mosha e re, që vazhdon të jetë mbizotëruese në treg. Sepse edhe ata që sapo kanë mbaruar shkollën dhe i futen rishtas gazetarisë, të inkuadruar nga drejtues më me eksperiencë, mund të mësojnë më shpejt. Thuhet se në gazetari 80% e punës mësohet dy vitet e para dhe 20% pjesën tjetër të jetës. Por për të vënë në vend prestigjin e dikurshëm, gazetaria ka nevojë për zanatçinj të përkushtuar. Sepse, siç u thoshte një prej emrave të mësipërm kolegëve të tij të rinj në vitin 1998, “të qenët gazetar, është diçka që duhet merituar çdo ditë”.

Posted August 24, 2011 by radiofocus in Opinione

Nita – My Shinin’ Light   Leave a comment

Posted August 24, 2011 by radiofocus in Muzikë